Zëvendëskryeministri dhe kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka prezantuar “Master Planin” për zhvillimin e Çairit, në bashkëpunim me urbanistin Bajram Vardar.
Mexhiti tha se plani ofron një qasje model për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke u mbështetur në bashkëpunimin e ekspertëve nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut. Ai theksoi se ky dokument do t’i hapë rrugë transformimit të Çairit në një hapësirë me infrastrukturë moderne, më shumë gjelbërim, qendra kulturore, arsimore dhe rinore.
Sipas tij, “Master Plani” mbështetet në shtatë shtylla kryesore që përfshijnë: zgjidhjet për komunikacionin, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, si dhe fuqizimin e arsimit, kulturës, sportit dhe artit.
Në fokus të planit janë zgjidhjet konkrete për komunikacionin dhe modernizimin e infrastrukturës. Vizioni parasheh ndërtimin e bulevardeve “Kroacia” dhe “Mali i Zi”, që do të mundësojnë lëvizjen nga Autokomanda drejt Sarajit pa kaluar nëpër Çair. Po ashtu, planifikohet zgjerimi i bulevardeve “Mithat Frashëri” (Brigada Maqedonase–Kosovare), “Xhon Kenedi” dhe “Cvetan Dimov”, si dhe hapja e nyjeve kyçe për lehtësimin e qarkullimit. Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i rrethit të komunikacionit përreth parkut-pyll “Gazi Babë”.
Pjesë e planit është edhe rivitalizimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit, me synim që lagjja Tophane të kthehet në një monument ikonik dhe atraktiv për turistët. Plani parasheh gjithashtu krijimin e pesë mijë vendeve të reja parkimi.
Në kuadër të projektit, parashihet ndërtimi i një kampusi modern për Universitetin “Nënë Tereza” dhe krijimi i “Qendrës Moderne Tophane”, që do të shërbejnë si pika të rëndësishme për zhvillimin arsimor e kulturor të komunës.
“Është nder jetësor dhe krenari e paharruar prezantimi i këtij plani me hapa konkrete dhe të detajuar, të projektuar nga ekspertë me renome. Jeta jonë është ndërtuar e frymëzuar nga Çairi, dhe tani ka ardhur koha që përmes ‘Master Planit’ ta shumëfishojmë shkëlqimin e diamantit tonë,” – deklaroi Izet Mexhiti.