Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, i shoqëruar nga krerët e VLEN-it zhvilluan takime me diasporën shqiptare në Berlin.

Mërgimtarët u mblodhën në takimin madhështor që u mbajt për të dëgjuar fjalën e Arben Taravarit dhe për të treguar mbështetjen për të sjellë ndryshimin politik.

Në fjalimin e tij, Arben Taravari kujtoi projektin e Universitetit të Tetovës që ishte i pamundur pa përkrahjen e diasporës. Gjithashtu u shpreh se mërgimtarët kanë ndikim të rëndësishëm të sensibilizimi i popullatës për rotacion në qeverisje.

“Nuk ka pasur proces të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut që është bërë pa diasporën, duke u nisur nga lëvizja e parë politike. Universiteti i Tetovës, ishte projekt i pamundur pa përkrahjen e diasporës, gjithashtu deri tek vendosja e kësaj partie që tani është në pushtet, sikur që tani jeni të përkushtuar nga diaspora për ta ndryshuar këtë parti. Dy herë kam garuar në Gostivar dhe ka ardhur një numër i konsideruar i mërgimtarëve. Ata sensibilizojnë popullatën dhe tregojnë se sa është e rëndësishme të votohet për tu bërë ndryshimi. U bashkuam edhe ne tani e bëmë punën tonë, ju vazhdoni ta bëni punën tuaj, votoni rotacionin politik që duhet të ndodhë në Maqedoni të Veriut. Në këtë mënyrë ne të mundësojmë që një pjesë të kthehet të jetojnë në Maqedoni të Veiut” , tha Taravari.

Po ashtu, kandidati për president u shpreh me bindje se 24 prilli do të jetë çelësi i fitores së madhe.

“Ju mund të komunikoni me plotë njerëz, të kërkoni që më 24 prill të na përkrahin, sepse 24 prilli do të jetë çelësi i fitores së madhe parlamentare më 8 maj”, tha Arben Taravari në fjalimin e tij në tubimin qendror me mërgatën në Berlin.