Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, në seancën ku në rend dite është interpelanca ndaj tij, tha se kjo iniciativë nuk është kundër Afrim Gashit, por kundër përkatësisë fetare të kryetarit të Kuvendit. Sipas tij, edhe pse interpelanca duket e formuluar ligjërisht, ajo është thjesht e motivuar politikisht dhe vetë teksti është plot me islamofobi dhe albanofobi, transmeton Portalb.mk.

“Kjo nuk është interpelancë për tejkalim të kompetencave të kryetarit të Kuvendit në aspektin e sigurisë, por kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe angazhimeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës, kjo nuk është interpelancë për shkeljen e pretenduar të Ligjit për Gjuhët, por për shkak të fobisë ndaj gjuhës shqipe dhe përkatësisë etnike të kryetarit. Kjo nuk është interpelancë ndaj flamurit të BE-së dhe NATO-s, por një interpelancë ndaj qëllimit tonë strategjik.E Majta është partia që ideologjikisht, me aspektin e vet social, duhet të bashkojë dhe ta ushqejë popullin me idenë e barazisë. Kështu është teorikisht, por, për fat të keq, në realitet është partia që shumë shpesh me qëndrimet e saj profilizohet në ekstremin e djatht. Është shumë keq kur luan me kartën e nacionalizmit, të gjykimit të tjetrit, pa i dëgjuar të gjitha faktet dhe argumentet. Por, sot jam këtu që nga kjo foltore ta shpreh qëndrimin tim. Investimi për të ardhmen e këtij vendi, ku dikush dëshiron ndarje me çdo kusht, mund të përfundojë me pasoja fatale për të gjithë ne”, deklaroi Gashi.

Ai vlerësoi se parlamenti është vendi ku duhet të ketë llogari dhe qytetarët e bëjnë gjykimin përfundimtar dhe theksoi se ai është i hapur dhe nuk fsheh asgjë, por kërkon qasje të hapur ndaj të gjitha çështjeve.

Deputeti dhe lideri i së Majtës, Dimitar Apasiev, duke shpjeguar arsyet e interpelancës së dorëzuar, tha se ajo është bazuar në shtatë pika, por edhe pse në ndërkohë ka bërë edhe tre-katër skandale të tjera.

“Ndryshe nga paraardhësi juaj Talat Xhaferi, i cili ishte mjeshtër i skandaleve, e keni kaluar atë dhe praktikisht në 100 ditë keni bërë shpërthim skandalesh dhe jeni bërë ndoshta mjeshtër më i madh”, tha Apasiev.

Ndryshe, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Frontit Evropian thanë se nuk do ta mbështesin interpelancën ndaj Afrim Gashit.

Deputet i Frontit Evropian, Blerim Bexheti para nisjes së seancës në Kuvend për interpelancën ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi, tha se grupi parlamentar i Frontit Evropian do t’i paraqes vërejtjet, por siç bëri të ditur për çështje parimore nuk do të votojnë për shkarkimin e Gashit.

“Ne do ti japim vërejtjet tona, për punën e z.Gashi, intervistës që qarkulloi gjatë ditës së djeshme, mendoj se ai duhet t’ju kërkoj falje shqiptarëve dhe të tërhiqet nga skena politike e jo më nga kryetar i Kuvendit. Por kjo do të mbetet në ndërgjegjen e tij. Por ne për arsye parimore, për çështje që janë ngritur do të debatojmë për argumentet por nuk do të votojmë për shkarkimin për iniciativën e partisë E Majta për çështje parimore dhe principele”, tha deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.

Nga ana tjetër, deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi para seancës tha se nuk do ta përkrahë të njëjtën duke e cilësuar atë si nacionaliste dhe ksenofobe edhe pse dje lideri i partisë së tij, Venko Filipçe njoftoi se partia e tij do ta votojë interpelancën kundër Afrim Gashit.

“Mendoj se detajet janë atë që e bëjnë ndryshimin mes qëndrimit të partisë. Nuk mendoj se në të kaluarën por edhe sot jam i prirur që të përkrah interpelancë nacionaliste, shoviniste dhe ksenofobe, siç është ajo e dorëzuar nga “E Majta” për kryetarin e Kuvendit”, deklaroi Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së.

VLEN nga ana tjerë ka reaguar për interpelancën, duke akuzuar se BDI dhe LSDM janë bashkëpunëtore të LEVICËS.

„LEVICA“, një parti me bindje të thella anti-NATO, po përpiqet së bashku me deputetët e LSDM-së dhe BDI-së të mbjellë farën e tensioneve në shoqëri, duke përdorur edhe interpelacionin kundër kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, si një segment në skenarin e tyre. Nuk është për t’u habitur që LSDM, e cila deri dje shkatërroi çdo institucion së bashku me partnerin e saj në krim, BDI, tani ka vendosur të luajë sipas notave të LEVICËS, e cila nderon regjimet komuniste të Enver Hoxhës dhe Kim Jong Un-it. Nga ana tjetër, BDI, partia që hedh gurin dhe fsheh dorën, shfrytëzon çdo mundësi për të shpëtuar nga korrupsioni politik që e ka përfshirë deri në palcë. Ky trinom, i kapur në një spirale të mashtrimeve, synon të krijojë një aleancë të rrezikshme dhe të pamoralshme. Meqë e dinë se nuk kanë asgjë të re për të ofruar dhe që mbështetja e tyre është në rënie të lirë, ata kërkojnë shpëtim në shkaktimin e krizave”, thonë nga VLEN, sipas të cilëve ky trinom tregon se janë të gatshëm të luajnë me interesat nacionale dhe stabilitetin e vendit vetëm për të penguar drejtësinë.

Kryeministri Hristijan Mickoski e ka quajtur iniciativën marrëzi.

“Kjo është papjekuri, do të thosha marrëzi e koalicionit LSDM, BDI dhe “E Majta” dhe se absolutisht nuk ka bazë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit Gashi dhe ne nuk do ta mbështesim një iniciativë të tillë dhe kemi një sërë argumentesh pse nuk duhet ta bëjmë atë”, tha Mickoski.

Kërkimi pas interpelancës së punës së kryetarit të Kuvendit zgjat një ditë pune, deri në shterjen e të regjistruarve për të folur – gjithsej 21 deputetë.

Interpelancën për Gashin e kanë dorëzuar deputetët e Partisë e Majta, pas incidentit me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit që ndodhi më 1 gusht.

Asokohe largimin e Gashit e kishte kërkuar edhe LSDM-ja opozitare, duke thënë se ai është përgjegjës për incidentin. Ata kërkuan që përgjegjësi nga Gashi të kërkojë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili nga ana e tij u përgjigj se nuk do të mbështesë një interpelancë të Gashit.

Në kërkesën për interpelancë të dorëzuar nga E Majta, thuhet se kryeparlamentari Gashi që nga fillimi i emërimit të tij ka punuar në mënyrë arbitrare, joprofesionale, të pamatur dhe joprofesionale dhe mbi të gjitha në mënyrë të kundërligjshme, antikushtetuese dhe joprofesionale.