Nga Ardit Rada
Është rasti i parë në histori që një Princ ta punësojnë si këshilltar të Sigurisë Kombëtare pranë Presidentit të Republikës. Kjo ka ndodhur me ‘viktimën’ më të fundit të shfaqur në media, kur këshillonte Bujar Nishanin sesi ta ruante shtetin nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm. Një pretendent me mend i fronit mbretëror do ta kishte çuar Republikën në grusht shteti. Se fundja për çfarë rron një Princ në tentativë? Aq më tepër ky i yni që kishte eksperiencë nga gjyshi në tradhti dhe nga i ati në trafikun e armëve dhe grushtet e shtetit.
Por thonë se Shqipërinë e shpëton gjithmonë rastësia dhe shyqyr që Princi kishte nevojë për një rrogë dhe jo për mend e aq më pak për fron.
Po pse vetëm kaq? Princin tonë e kanë përkëdhelur shumë kush të mundte. Nga zyra e Presidentit e çuan dhe në Ministri të Jashtme derisa e kaluan padashur nga një personazh prej të cilit pritej ndonjë politikë ndryshe, në një emër të showbiz-it. I mbetur jetim herët, siç tha një zëdhënës i tij, atij iu la në dorë çdo pasuri e diskutueshme. E nisën familjarisht me një vilë me qera pranë Kryeministrisë, atje ku më pas u bë ambasada spanjolle, e na dolën pronarë të Pallatit të Pionerëve e sa e sa hektarë toke nëpër Shqipëri. Gjithë ky nxitim në heshtje i politikës për t’i dhënë Zogëve ça të mbanin mend nga prilli 1939, kur çanë ferrën për t’u kthyer 60 e kusur vite më pas. Gjithë kjo përkëdhelje për t’i dhënë edhe fushën pas Pallatit të Pionerëve ku së fundmi do të hapë dyert qendra më e fundit tregtare dhe ku sigurisht Princi do të marrë hisen.
Nuk do ta harroj ditën që zbritën në Rinas për herë të dytë, teksa Monika Kryemadhi i priste Zogajt me një tufë lulesh. Bashkë me të edhe një gazetar i njohur që thotë se është Toptan nga nëna, ashtu si stërgjyshja e Lekës së Dytë. Nuk dihet çfarë largpamësie paskan patur Toptanët që zunë tokat në qendër të Tiranës që kur Tirana nuk kishte qendër, por shpejtësia marramendëse për t’i shtënë në dorë me letra këto prona ka qenë e habitshme. Ndërkohë që treçereku i pronarëve nuk marrin dot tokat dhjetëra kilometra larg Tirane, ku s‘mbijnë as ferrat e as hisllat. Dhe e dini kush është e bukra, për ata që kuptojnë nga pronat? Ata merrnin truall, kur këta mjeranët s’marrin dot arë. Po nejse, kjo është histori tjetër…