Pas vjetrimit të lëndëve “TNT”, “Trajektorja” dhe “Feniks”, ish kryeministri i arratisur në Hungari, do të shpëtojë edhe nga “Tanku”, në të cilën është dënuar me 2 vjet burg për furnizimin e Mercedesit luksoz prej 600 mijë eurosh. Më 4 tetor, siç shkruan “Prizma”, lënda tërësisht vjetrohet pasi sipas Kodit Penal, prej shqiptimit të dënimit ka kaluar dy herë më shumë kohë se sa koha që kërkohet sipas ligjit, që të vjetrohet ekzekutimi i dënimit.
Megjithatë, fatin e Gruevskit nuk e patën ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska dhe ndihmësministri Gjoko Popovski, të cilët u dënuan dhe tani veçmë kanë vuajtur dënimet me burg, njëri 4 e tjetri 4 vjet e gjysmë.
Për rastin kanë reaguar nga koalicioni VLEN, të cilët vlerësojnë se me intervenim të drejtpërdrejtë të BDI-së në ndryshimet e Kodit Penal, Nikolla Gruevskit, kryeministrit të mëparshëm dhe politikanit të dashur të Ali Ahmetit, i skadon edhe një dënim me burg.
“Pas marrëveshjes së turpshme të Prokurorisë “Abazovite” me Ixhet Memetin, kjo udhëheqësi e kriminalizuar arriti të realizojë edhe një amnisti. Kjo fiasko e sistemit të fëlliqur juridik është një tjetër konfirmim i virusit të Ahmetit të instaluar prej vitesh në drejtësi, ku pushtetarët e tyre kanë ndërtuar një mur mbrojtës rreth vetes, duke shpëtuar njëri-tjetrin nga përgjegjësia gjyqësore. Kjo nuk është hera e parë që BDI, në krye me Ali Ahmetin, ndërhyn për të shpëtuar shokët e tij nga burgu. Të njëjtën lojë më herët kanë bërë edhe për arkitektin e vuajtjeve të shqiptarëve, ish-drejtor in e DBK, Sasho Mijalkov. BDI-ja, një parti që për dekada manipulon popullin me premtime për reforma dhe integrime evropiane, është vrasësi i çdo shprese për drejtësi dhe një ardhmëri më të mire”, reaguan nga Koalicioni VLEN.
Ndryshe, Gruevski, është i dënuar me një vit e gjysmë burg edhe në lëndën për “Dhunën në Komunën Qendër”, por vepra për këtë lëndë i vjetrohet në vitin 2027. Gjithashtu, ish kryeministri duhet të vuajë dënim me 9 vjet burg për “Parcellat në Vodno”, megjithatë, duke e pasur parasysh se është dënuar në mungesë, ai mund të kërkojë rikthim të gjykimit nga e para.
Në ndërkohë, vijon të mbetet i akuzuar në lëndët “Talir 1” dhe “Talir 2”, për të cilët gjithashtu nuk dihet fati nëse do të mbarojnë, ashtu sikur në lëndën “Titanik” për parregullsi zgjedhore. Hetimi, iu ndërpre për lëndën e organizatorëve të dhunës së “27 prillit” në Kuvendit./Alsat.mk