Tubimi i liderit të ri të opozitës, Ali Ahmetit, u kthye në një fiasko të plotë në sallën e sportit në Gostivar. Në përpjekje për ta animuar anëtarësinë dhe publikun, për gjoja shteti po ballafaqohet me krizë politike, Ahmeti u ballafaqua me tribuna të zbrazura, fytyra të lodhura dhe të frikësuara dhe mesazhe të rraskapitura politike. BDI morri një JO të madhe në Gostivar, ndërsa përgjigjen e njejtë do ta merr gjithandej ku do të përpiqet të elektrizoj masën, të polarizoj me shoqërinë dhe në formë artificiale dhe të panevojshme do të tentojë të prodhoj krizë.

Duke kontestuar legjitimitetin e VLEN-it që është pjesë e Qeverisë së re, BDI me një autogol e konteston legjitimitetin e vet për të folur në emër të shqiptarëve. Numri modest i të pranishmëve flet për kredibilitetin dhe legjitimitetin e tyre të humbur. Është e dukshme që përveç funksionerëve të deritanishëm dhe një pjesë e anëtarësisë së flaktë të BDI-së, pak e më pak ka nga simpatizuesit dhe qytetarët që i pranojnë tezat e Ali Ahmetit se partneri “ekskluziv” i paracaktuar I LSDM dhe VMRO-DPMNE është vetëm ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

Duket qartë se BDI-ja e ka të vështirë ta pranojë realitetin. Deri tani e kishin të lehtë të mbushnin sallat duke keqpërdorur mekanizmat e pushtetit për të siguruar praninë e punonjësve të administratës në ngjarjet e tyre. Pas vetëm 20 ditë nga zgjedhja e Qeverisë së re, ata filluan ta reduktojnë dashurinë e tyre. Në vazhdim do ti vijnë sfidat BDI-së, veçanërisht kur marrëdhëniet e ndryshme të dyshimta dhe korruptive të zyrtarëve të tyre fillojnë të dalin në dritë.
Sado që të demantojnë, pamjet nga ngjarja në Gostivar janë një lloj dëshmie për pohimet tona se BDI i ka ofruar VMRO-DPMNE-së të hyjë në Qeveri pa kushte, me katër ministri, pa kryetar të Kuvendit, madje edhe gatishmëri të punojnë me kandidatët e tyre maqedonas për t’u bërë kryetarë komunash të Kërçovës dhe Strugës në zgjedhjet lokale të vitit 2025. Nëse marrim parasysh “pazarin” me Kërçovën që bëri Ali Ahmeti me Nikolla Gruevskin në vitin 2008 vetëm për t’u bërë pjesë e qeverisë, fitohet perceptimi se kjo Kryesia e BDI-së është e bindur se vetëm hyrja në Qeveri me çdo kusht do t’i shpëtojë nga shpërbërja dhe përballja me drejtësinë.

Zgjedhjet janë afër. Por Ahmeti, për fat të keq, ende nuk është i gatshëm të lejojë reforma programore dhe kadrovike në BDI, sepse nuk pranon të përshtatet dhe të pranojë rolin e opozitës konstruktive. Do t’u kushtojë shumë në zgjedhjet lokale.