Bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, kanë përcjellë urimet e tyre për shqiptarët kudo që jetojnë me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Përmes mesazheve të tyre, bashkwkryetarwt e VLEN-it kanë vlerësuar rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj date, duke kujtuar sakrificën e brezave të kaluar për liri dhe pavarësi, si dhe duke bërë thirrje për ruajtjen e gjuhës, flamurit dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Bilall Kasami, në urimin e tij, theksoi se 28 Nëntori është një datë që nuk mbetet vetëm në faqet e historisë, por jeton përgjithmonë në zemrën e kombit shqiptar.
Ai u përkul me respekt para të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë, ndërsa theksoi përgjegjësinë e brezave të sotëm për të vazhduar rrugën e tyre dhe për t’u siguruar fëmijëve një të ardhme më të ndritur.
“Na bashkoftë gjithmonë dashuria për gjuhën, flamurin dhe kombin tonë, pavarësisht kufijve që na ndajnë”, ishte mesazhi i Kasamit, i cili uroi të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, për festën e madhe kombëtare.
Ndërkaq, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në urimin e tij e cilësoi 28 Nëntorin si ditën më të lavdishme të historisë kombëtare shqiptare.
Mexhiti theksoi se kjo ditë simbolizon flamurin kuqezi, krenarinë, lirinë dhe pavarësinë, duke nënvizuar se 28 Nëntori është një moment që bashkon shqiptarët kudo në botë.
“Ditën kur zemrat e shqiptarëve, kudo në botë, rrahin si një”, shkroi Mexhiti, duke uruar që flamuri shqiptar të jetë përherë i bekuar dhe kombi shqiptar i lavdishëm.
Urimet e dy bashkëkryetarëve të VLEN-it përcollën mesazhe uniteti, krenarie dhe përkushtimi ndaj vlerave kombëtare, në një ditë që për shqiptarët përfaqëson një nga datat më të rëndësishme të historisë dhe identitetit të tyre.

