Kryeministri sllovak Robert Fico mbetet në gjendje të rëndë dhe i rrezikuar nga komplikacionet, por për momentin është në gjendje të stabilizuar.

Të rejat e fundit rreth shëndetit të Ficos pas atentatit i bënë të ditura autoritetet e vendit të shtunën.

Kreu 59-vjeçar i qeverisë sllovake u qëllua pesë herë me armë zjarri në një sulm që shokoi një Europë të tërë dhe rriti shqetësimet rreth polarizimit politik në vendin me 5.4 milionë banorë.

“Ne nuk e kemi fituar ende betejën, është shumë e rëndësishme të thuhet,” deklaroi zëvendëskryeministri Robert Kalinak, duke dhënë një përditësim mbi gjendjen e Ficos jashtë spitalit në qytetin e Banska Bystrica ku po trajtohet kryeministri.

Gjykata speciale penale e Sllovakisë vendosi sot se i dyshuari, i identifikuar nga prokurorët si Juraj Cintula, do të mbetet në paraburgim pasi akuzohet për tentativë vrasje.

Ministri i Brendshëm Matus Sutai Estok tha se sulmuesi i dyshuar, i cili u arrestua në vendngjarje, veproi i vetëm. Ai kishte marrë pjesë më parë në protesta antiqeveritare.