Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e vëllimit të parë të librit të të burgosurve politikë, që tashmë po merr formën e një dokumentacioni gjithëpërfshirës e arkivor me titull “Amza e Lirisë, Leksikoni i të burgosurve politikë shqiptarë në Jugosllavi 1944-1953”

Ngjarja u mbajt në hapësirat e Institutit të Historisë në Prishtinë.

“Të burgosurit politikë, jo vetëm në Kosovë, janë një komunitet i veçantë politik dhe një lloj kategorie po ashtu e posaçme mes subjekteve që e pësojnë por edhe e bëjnë historinë. E them këtë, sepse të burgosurit politikë janë njerëz që në periudha të caktuara të jetës së tyre, e kanë humbur edhe lirinë e tyre individuale fizike për shumë vjet, duke përfunduar nëpër burgje për shkak të bindjeve të tyre politike apo të ideve e të projekteve politike që ata mund t’i kenë përfaqësuar dhe për jetësimin e të cilave janë angazhuar në kohë e në rrugë të ndryshme”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në kumtesën për media nga zyra e kryeministrit tutje theksohet se dhjetë ditë më parë, kryeministri ishte në promovimin e librit “Të burgosurit e ndërgjegjes: Memoare për politikën, burgun dhe torturën (1945-1999)”, në të cilin ishin përmbledhur dhjetë intervista të thella me dhjetë të burgosur politikë. Ai tha se i vjen shumë mirë që sheh që korpuset aq të mëdha të veprave të ish-të burgosurve politikë me poezi e prozë, me kujtime dhe me atë lloj literature që janë referuar si letërsi e burgut në vitet e fundit, po shtohen edhe botimet e një karakteri më akademik e shkencor sikurse ky që po e promovojmë sot.

“Shpresoj shumë dhe uroj që ashtu siç sugjeron pjesa fundore e këtij titulli libri vëllimi i parë, Shoqatat e të Burgosurve Politikë të Kosovës të arrijë t’i botojë edhe vëllimet e tjera të këtij leksiku edhe për të burgosurit politikë të dekadave pasuese nga Adem Demaçi te Rexhep Malaj, nga Fazli Grejçevci te Ukshin Hoti”, tha kryeministri në fjalën e tij.

Ai u uroi të pranishmëve festat e fundvitit dhe një Vit të Ri e të mbarë e të mirë për familjet e tyre, kolegët e shoqërinë, dhe i falënderoi që gjithmonë ftohet në organizime të tilla.