Në kohën kur Universiteti i Tetovës po hyn sërish në procesin e zgjedhjes së rektorit, lindin pyetje serioze mbi kredibilitetin e kandidaturës së prof. dr. Kushtrim Ahmetit, duke pasur parasysh se emri i tij përmendet në raportin zyrtar të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit si pjesë e parregullsive të konstatuara në procedurat për zgjedhjen dhe funksionimin e organeve drejtuese të Universitetit.
Sipas Procesverbalit për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese numër. Ip1 nr.09/2-727 të datës 12.09.2024, Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka konstatuar se zgjedhja e prof. dr. Kushtrim Ahmetit si ushtrues detyre rektor është bërë “në kundërshtim me nenin 97 paragrafi 3 të Ligjit për Arsim të Lartë”.
Në raport thuhet qartë se:
• më 24.11.2022 Senati e kishte zgjedhur Kushtrim Ahmetin për ushtrues detyre rektor;
• në momentin e zgjedhjes ai mbante titullin “profesor inordinar”;
• sipas mbikëqyrjes inspektuese, zgjedhja nuk ishte në përputhje me kushtet ligjore.
Edhe pse raporti i Inspektoratit nuk paraqet automatikisht ndalim ligjor për kandidim, mbetet një dilemë serioze morale dhe institucionale: Si mundet që një person, emërimi i të cilit është konstatuar si në kundërshtim me ligjin nga një organ shtetëror inspektues, sot të kërkojë besimin për funksionin më të lartë të Universitetit?
Raporti i Inspektoratit nuk ndalet vetëm te ky rast. Në dokument përmenden edhe një sërë parregullsish dhe problemesh sistemore në funksionimin e Universitetit të Tetovës gjatë periudhës 2017–2023.
Parregullsitë kryesore të konstatuara:
• Universiteti ka funksionuar për muaj të tërë pa rektor të zgjedhur në mënyrë ligjore;
• janë bërë disa zgjedhje të ushtruesve të detyrës rektor pa shpallur me kohë procedurën për zgjedhje të rektorit;
• Senati ka funksionuar me anëtarë me mandate të skaduara ose të neverifikuara;
• janë konstatuar lëshime në zgjedhjen dhe verifikimin e anëtarëve të Senatit;
• janë sjellë vendime në kushte të mandateve kontestuese;
• disa fakultete nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për zgjedhjet;
• janë konstatuar parregullsi edhe në zgjedhjet në tituj akademikë dhe bashkëpunëtorë;
• janë evidentuar shkelje të Ligjit për Arsim të Lartë dhe të Statutit të Universitetit.
Universiteti i Tetovës nuk ka nevojë për vazhdim të krizave, improvizimeve dhe parregullsive. Universiteti ka nevojë për një rektor kredibil, me integritet akademik dhe moral, i cili do ta rikthejë Universitetin në tempull të dijes, shkencës dhe inovacionit, në shërbim të studentëve, qytetarëve dhe shtetit.
Universiteti duhet të jetë motor i zhvillimit të shoqërisë, promotor i dijes, shkencës, hulumtimit dhe vlerave akademike, e jo promotor i parregullsive, shkeljeve ligjore dhe krizave institucionale.
Për të gjithë ata që kanë dilema apo dyshime lidhur me këtë njoftim, mund t’i drejtohen zyrtarisht Inspektoratit Shtetëror të Arsimit për të kërkuar raportin përkatës dhe për t’u informuar drejtpërdrejt nga dokumentacioni zyrtar.
Sot më shumë se kurrë, Universiteti i Tetovës ka nevojë për besim, ligjshmëri, transparencë dhe vizion të ri akademik.

