Jetojmë nën të njëjtin qiell, ndajmë të njëjtat probleme, të njëjtat sfida. Gjendja jonë është e njëjtë dhe ne dëshirojmë gjëra të përbashkëta. Sot Maqedonia është një vend i qeverisur nga qindra njerëz që i kanë kapur institucionet dhe po i keqpërdorin ato.
Çdo tender kalon në dorën e tyre, për çdo biznes përqindja e fitimit përcaktohet nga të njëjtët persona. Ai sistem artanoid është bërë sinonim i korrupsionit dhe krimit të pandëshkuar. Një sistem vlerash të deformuara dhe joparimore që po e çojnë shtetin drejt rrënimit”, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski nga tubimi në Tetovë.
Mickoski shtoi se po vjen një kohë e re, një faqe e re po kthehet, një fillim i ri.
Këtu nga Tetova po ju njoftoj se menjëherë pas fitores dhe formimit të qeverisë një përqindje e konsiderueshme e buxhetit do të shkojë për zhvillimin dhe zgjidhjen e projekteve infrastrukturore dhjetëvjeçare të Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës, Dibrës dhe disa komuna të tjera nga Maqedonia perëndimore”, ka premtuar Mickoski.
Unë marr përsipër që në kuadër të projektit prej 250 milionë euro për zhvillim infrastrukturor të komunave, një pjesë të investohet në këto vende këtu. Njëlloj do të ndërtojmë dhe punojmë për zhvillimin e Novo sellës së Shtipit, por edhe për Tearcën e Tetovës, edhe për Kuklishin e Strumicës, edhe për Odrin e Tetovës”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së.
Ai tha se populli është lodhur duke rrahur gjoksin dhe duke folur për të drejtat, ndërsa në realitet gjithçka zbret në vjedhje dhe tenderë. Të ndryshohet jeta e njerëzve realisht dhe me veprime, dhe këtë do ta bëjë Qeveria e ardhshme e udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
“Që të ndodhë kjo që po ju them, në 8 maj duhet të përfundojë puna e nisur. Cunami është ngritur. Ai cunami duhet të godasë ditën e zgjedhjeve dhe të rrëzojë qeverinë e pushtuar nga krimi. Zgjidhja kundër të gjithë skenarëve të LSDM-së dhe BDI-së është dalja në zgjedhje”, tha Mickoski.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 8 maj të dalin dhe të votojnë, është koha që të fillojnë ndryshimet në Maqedoni.