Për të qenë anëtar në bordin mbikëqyrës të shoqërisë aksionare “M-NAV”, duhet të kesh së paku 240 kredi, gjegjësisht të kesh përfunduar arsimin e lartë 4-vjeçar. Por kjo nuk vlen për Millorad Millanoviq, i cili tanimë gjashtë muaj është zgjedhur anëtar i bordit mbikëqyrës, edhe atë vetëm me arsim të mesëm. Madje sipas informacioneve jozyrtare, arsimin e mesëm e ka përfunduar në Mal të Zi, ndërsa diplomën nuk e ka të nostrifikuar. Millanoviq njëkohësisht është edhe i punësuar në M-NAV, me çka, me vendosjen e tij si anëtar i bordit mbikëqyrës, janë shkelur nenet 72 dhe 73 nga ligji për parandalim të korrupsionit dhe përplasje të interesave. Paradoksale është ajo kur Millanoviq, duhet të mbikëqyrë dhe vlerësojë punën e tij si nëpunës në M-NAV.

Millanoviq si anëtar i bordit mbikëqyrës, pengon procedura të ndryshme për nevojat dhe zhvillimin e M-NAV. Shembull konkret është pengimi dhe mos miratimi i shpalljes së tenderit për sigurimin e objekteve të M-NAV, pasi kontrata e kaluar që ishte e nënshkruar me kompaninë 2SS, ka përfunduar para 5 muajve. Kjo kontratë ka vlerë prej mbi 50 mijë euro, prandaj nevojitet pëlqim edhe nga bordi mbikëqyrës. Siç mëson jo zyrtarisht Alsat, këto pengime bëhen me qëllim që bordi drejtues të cilësohet si i paaftë para Qeverisë, pasi në Qeveri ka iniciativë që M-NAV të drejtohet nga vetëm një drejtor gjeneral, e jo nga tre sa janë tani. Për momentin M-NAV drejtohet nga drejtorë të tre sektorëve. Sektori i kontrollimit të fluturimeve, sektori i navigacionit dhe sektori financiar.

Millanoviq nuk është hera e parë që zgjidhet anëtar i bordit mbikëqyrës. Ai në këtë pozitë ka qenë edhe para se në pushtet të vinte LSDM. Më pas në dhjetor të vitit 2017, u shkarkua me vendim të zv.kryeministrit të atëhershëm Oliver Spasovski. Millanoviq gjithashtu ishte pjesë e “bombave” që i publikonte lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, i cili dëgjohet duke treguar si VMRO i kanë përjashtuar nga puna të panevojshmit dhe ata që nuk mendojnë njëlloj.

Bordi mbikëqyrës i M-NAV përbëhet nga tre anëtarë, Millorad Millanoviq, Goran Jandreoski dhe Rijad Alimi. /Alsat.mk/