Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska deklaroi se buxheti i shtetit është dëmtuar për më shumë se 32 miliardë denarë nga qeveria e kaluar. Ajo tha se pret që prokuroria themelore publike të reagojë ndaj rasteve të tilla.
GORDANA DIMITRIESKA KOÇOSKA, MINISTRE E FINANCAVE
“Kemi shumë obligime të vonuara të cilat nuk janë raportuar. Për më tepër, kompetenca i takon institucioneve tjera. Muaji janar 2025 është më kritiku, kur duhet të paguhet eurobondi prej 500 milionë eurosh dhe njëkohësisht ka edhe letra me vlerë shtetërore që u mbraon afati i maturimit me vlerë prej 136 milionë euro”.
Koçoska njoftoi se gjithsej 4,1 miliardë denarë për paga dhe 5 miliardë denarë për pagesën e pensioneve janë paraparë me ribalancimin e buxhetit. Ajo tha se të hyrat e përgjithshme të planifikuara në buxhet janë 318 miliardë e 150 milionë denarë, që është një rritje prej 8,22 miliardë denarëve.
GORDANA DIMITRIESKA KOÇOSKA, MINISTRE E FINANCAVE
“Gjatë përgatitjes së ribalancit janë larguar nga supozimet se sa mjete mund të rishpërndahen nga pikat që tregojnë realizim të dobët. Me rishpërndarjen janë siguruar 20 miliardë denarë, ndërsa janë planifikuar edhe 11 miliardë denarë shtesë për mbulimin e obligimeve të papaguara dhe obligimeve që kanë qenë të ligjshme dhe nuk kanë qenë të planifikuara. Kjo rezulton me rritje të deficitit buxhetor për 11,156 milionë denarë”.
Koçoska theksoi se me ribalancimin e buxhetit edhe sektori i biznesit do të marrë 250 milionë euro. “Bizneset të cilat vërtetë do të investojnë, të njejtët do të përfitojnë”, theksoi ajo.