Kompania shtetërore për kontrollin e fluturimeve civile M-NAV, sipas emisionit hulumtues “KOD” në televizionin Telma, është punëdhënësi me paga të majme të familjarëve të ministrave të pushtetit, përcjell Alsat.

Në mesin e rreth 300 të punësuarave në M-NAV, sipas hulumtimit të Kod ka familjar dhe të afërt të tre ministrave aktual të koalicionit BDI-LSDM.

“Tre ministra nga qeveria aktuale kanë të afërm të punësuar në Navigacionin Maqedonas. Në M-NAV janë të punësuar kunata e zëvendëskryeministrit Artan Grubi, motra e Ministrit të Jashtëm Bujar Osmanit dhe nipi i Ministrit të Bujqësisë Lupço Nikollovski, si dhe të afërm të tjerë të ish-ministrave e deputetëve”, thuhet në emisionin investigativ “KOD”.

Në prononcimet e tyre për media, Osmani tha se motra e tij punon aty prej 15 vitesh, ndërsa Nikollovski tha se nipi i tij është një kuadër shumë i aftë dhe profesional dhe se është shkolluar në Kinë, Japoni, ka diplomuar në Slloveni. Koment për këto punësime nuk ka dhënë zëvendëskryeministri Grubi.

Në “Kod” përmendet edhe qëndrimi i ministrave Osmani dhe Bekteshi të cilët ishin kundër ndërrimit të drejtorëve të M-NAV-së, të cilët sipas emisionit KOD i kanë thënë Kovaçevskit se shkarkimi i drejtorëve do të dukej si dorëzim para sindikatës së kontrollorëve dhe ai sërish u tha se është një situatë që kërkon zgjidhje të menjëhershme për shkak të trafikut ajror dhe detyrimeve ndërkombëtare të shtetit.

Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ky institucion është shndërruar në një kompani familjare ku janë punësuar të afërm deri në gjeneratën e tretë. Sipas tij, ndër të tjera është gjetur nepotizmi i kryetarit të Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror, Aleksandar Tasevski. Nga VMRO DPMNE thonë se kjo është hera e parë, mbase e vetmja që pajtohen me deklaratën e kryeministrit Kovaçevski.

“Për herë të parë pajtohemi me kryeministrin Kovaçevski, i cili tha se M-NAV është shndërruar në një firmë familjare, por duhet ta thoshte deri në fund se ajo është firmë familjare e BDI dhe LSDM-së. Ne gjithë kohës kemi thënë se M-NAV është agjencia jozyrtare e punësimit të familjarëve të pushtetit aktual”, thonë nga VMRO.

KOD bëri të ditur se në mesin e punonjësve të M-NAV-së ka edhe të afërm të shumë zyrtarëve dhe politikanëve. Në mesin e punonjësve janë nusja dhe djali i ish-deputetit të BDI-së, Ejup Alimi, nipi i këshilltarit të drejtorit në M-NAV, Bekim Neziri (tani i dyshuar për ndërhyrjen e kontrollit të trafikut ajror) Burimet e KOD-së pohojnë se aty është edhe nipi i zv. ministrit të Brendshëm, Nazim Bushi.

Familjarët e Nikolovskit dhe Nezirit janë të punësuar si ndihmës-kontrollues, ndërsa në repartin operativ punon edhe motra e ministrit Bujar Osmani. Familjarët e tjerë punojnë në administratën e M-NAV./ Alsat.mk