Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot kishte fjalën e tij në punëtorinë e titulluar “Qeverisja lokale si nxitës i reformave: Zbatimi dhe përfitimet e Agjendës Reformuese për komunat”, ku theksoi rolin e rëndësishëm të autoriteteve lokal në zbatimin e Agjendës Reformuese 2024-2027 dhe Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në punëtori morën pjesë përfaqësues të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BNJVL), kryetarë të komunave, anëtarë të këshillave, përfaqësues të administratave komunale, përfaqësues të organizatave të shoqërive civile dhe të tjerë.

Në fjalën e tij, ministri Murtezani theksoi rëndësinë e autoriteteve lokale në krijimin e ndryshimeve, inkurajimin e inovacioneve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ai theksoi se komunat nuk janë vetëm zbatuese të politikave nacionale, por edhe forcë vitale që shtytë ndryshimet.

“Komunat luajnë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në shëndërrimin e politikave të nivelit nacional në masa konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët dhe bizneset. Ju nuk jeni vetëm zbatues; Ju jeni arkitektë të zhvillimit lokal, krijuesi të ndryshimeve dhe zëri i qytetarëve” – theksoi Murtezani

Në vazhdim fjalimi i MÇE Murtezanit:

E nderuara Ambasadore Hulman, I nderuar Ministër, Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BNJVL), të nderuar kryetarë të komunave, anëtarë të këshillave, përfaqësues të administratës së komunave, organizatave të shoqërisë civile, zonja dhe zotërinj, mirëdita.

Punëtoria e sotme e titulluar “Qeverisja lokale si shtytës i reformave: Zbatimi dhe përfitimet nga Agjenda Reformuese për komunat” është konceptuar si mbledhje e krijuesve të së ardhmes, të njerëzve të cilët çdo ditë formësojnë realitetin në komunat tona.

Kjo punëtori thekson rolin tuaj kyç në zhvillimin e vendit tonë, ndërsa e njëjta organizohet përmes projektit “Mbështetje për Maqedoninë e Veriut për aderim në BE”, financuar nga Mbretëria e Suedisë, Zvicrës dhe MÇE, ndërsa e zbatuar nga zyra e UNOPS-it në Shkup. Sinqerisht e vlerësojmë ndihmën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer nga partnerët tanë, Mbretërisë së Suedisë dhe Zvicrës, si dhe ndihmën nga zyra e UNOPS-it në Shkup dhe shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Si Ministër për Çështjet Evropiane, vetëqeverisjen lokale nuk e shoh vetëm si zbatues të politikave nacionale, por edhe si fuqi vitale që i nxit ndryshimet, inkurajon inovacionet dhe krijon cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Prandaj, dua ta filloj këtë diskutim me këndvështrim në kontekst më të gjerë në të cilin veprojmë.

Takimi ynë i sotëm është i lidhur ngushtë me dy nisma kyçe të cilat definojnë të ardhmen tonë evropiane: Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Agjenda Reformuese 2024-2027 e Maqedonisë së Veriut. Plani për Rritje të BE-së është vizion për unifikimin ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian. Për të shfrytëzuar mundësitë, nevojitet front i përbashkët dhe përkushtim në reforma në të gjitha nivelet, ndërkaq ju, autoritetet lokale, jeni në qendër të këtij veprimi. Agjenda reformuese është kompasi jonë nacional për realizimin e këtyre qëllimeve: krijimin e ekonomisë më konkurruese, administratën publike më efikase dhe shoqëri më të qëndrueshme.

Këtu në skenë tani është radha juaj, autoritetet lokale. Komunat luajnë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në shëndërrimin e politikave të nivelit nacional në masa konkrete të cilat ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët dhe bizneset. Ju nuk jeni vetëm realizues; Ju jeni arkitektë të zhvillimit lokal, krijues të ndryshimeve dhe zëri i qytetarëve.

Decentralizimi, reformat fiskale dhe transformimi digjital janë mjete thelbësore me të cilat komunat do të munden më mirë të japin shërbime publike, të tërheqin investime dhe të përmirësojnë zhvillimin ekonomik lokal. Por kjo fuqi dhe autonomi vijnë me përgjegjësi. Komunat në mënyrë aktive duhet të angazhohen në zbatimin e politikave, të zhvillojnë strategji lokale dhe të bashkëpunojnë me të gjitha palët e interesuar.

Më lejoni të potencoj se si këto reforma reflektohen në punën e komunave. Lidhur me efikasitetin e administratës publike, digjitalizimin e shërbimeve do të thotë ridizajn i mënyrës së funksionimit të komunave që të jenë më afër qytetarëve. Deri në vitin 2025, me platforma digjitale në të paktën 50% të komunave, qytetarët do të ndjejnë më pak nevojë për të pritur në sportele kurse administrata do të jetë më efikase.

Kur flasim për qytete të gjelbra dhe të qëndrueshme, nuk bëhet fjalë vetëm për mbjelljen e druve, gjë që është padyshim e rëndësishme. Deri në vitin 2026, komunat do të punojnë në plane lokale të veprimit e cila do të nënkuptojnë ndërtesa me efikasitet energjetik, transport të qëndrueshëm dhe menaxhim më të mirë me mbeturinat. Ky është investim në mjedis të shëndetshëm.

Decentralizimi fiskal, nga ana tjetër, nuk është vetëm mekanizëm për marrjen e mjeteve financiare. Deri në vitin 2027, me përmirësimin e pagesës së të hyrave dhe autonomisë fiskale, komunat do të kenë mundësi më të madhe të investojnë në projekte që janë prioritet të komunitetit lokal, konform me nevojat e qytetarëve të saj.

Kjo punëtori ka për qëllim të arrijë disa rezultate kyçe: të rrisim ndërgjegjen për rolin e qeverisjes lokale në reforma, të përmirësojë kuptimin e mbështetjes së disponueshme dhe të përforcojmë dialogun mes autoriteteve vendore dhe nacionale.

Ngjarja e sotme është mundësi që t’i shkëmbejmë idetë dhe t’i përforcojmë partneritetet tona. Ju ftoj në diskutim të hapur dhe konstruktiv. Le të jetë kjo punëtori vendi ku do të lindin ide të reja dhe do të përforcohet përkushtimi ynë në të ardhme prosperuese për të gjithë qytetarët.

Besoj se përmes punës së përbashkët, përkushtimit dhe vizionit, mund të realizojmë qëllimet tona. Ju falënderoj për vëmendjen dhe ju dëshiroj punë të suksesshme dhe të frytshme në punëtorinë e sotme!