Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se ka pranuar “Medaljen për Shërbim të Shquar” nga ministri aktual i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Mehaj përmes një postimi në Facebook tha se kjo medalje e bën të kujtoj zbarkimin e parë historik, siç tha ai, në misionin e parë paqeruajtës ndërkombëtar të ushtarëve të FSK-së, përkrah Ushtrisë Amerikane.

“Kjo medalje, më bën të kujtoj me krenari, zbarkimin e parë historik, në misionin e parë paqeruajtës ndërkombëtar të ushtarëve të FSK-së, përkrah Ushtrisë Amerikane. Bashkëzbarkimin e parë përkrah ushtrisë Britanike, ndihmën për Turqinë me rastin e termetit. Krijimin me ligje forcave speciale te FSK-së , futjen e edukatës së sigurisë për rininë tonë”.

“Rritjen e jashtëzakonshme të buxhetit të FSK-së deri ne 2% të GDP-së, avancimin e politikave të mbrojtjes si dhe kornizës ligjore për mbrojtje dhe siguri, blerjet ushtarake ,marrëveshjet shtet me shtet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes, përmes fuqizimit të aleancave dhe partneritetit me shtetet e NATO-s”, shkroi ai.

Mehaj tutje u shpreh se kjo medalje i jep edhe një detyrë më shumë, për t’i shërbyer atdheu.

“Gjatë punës sime së bashku me gjithë qeverinë e RKS-së, ministrinë, shtabin e FSK-së dhe te gjithë kabinetin ku kam shërbyer si Ministër i Mbrojtjes, i falënderoj për punën ekipore dhe sakrificën e tyre”.

“Kjo medalje më jep edhe një detyrë më shumë, për t’i shërbyer atdheut dhe për të përmbushur me zellin dhe dinjitetin më të lartë amanetin e Komandatit Legjendar Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve të rënë, për lirinë që ne e gëzojmë sot”, shkroi tutje Mehaj.
#KosovaInNato