Sindikatat e pesë universiteteve të cilat tashmë e disa ditë janë të zëshëm ndaj kërkesës së tyre – të nënshkruhen marrëveshjet kolektive me çka do të ketë rritje të pagave të të punësuarve, kanë dërguar DEMANT ndaj kryeministrit teknik – Talat Xhaferi.

Ua sjellim demantin pa ndërhyrje dhe në formë të integruar:
DEMANT ndaj deklaratës së kryeministrit teknik Talat Xhaferi

Në emër të së vërtetës, ua dërgojmë këtë demant ndaj pretendimeve në konferencën e sotme për shtyp të kryeministrit teknik Talat Xhaferit lidhur me mosnënshkrimin e marrëveshjeve kolektive të pesë universiteteve publike.
Në të vërtetë, sindikatat e pesë universiteteve publike: “Shën Kliment Ohridski” në Manastir, Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip, Universitetit të Tetovës, Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Universitetit për Shkenca Informative dhe Teknologjike “Shën Apotol Pavle” në Ohër, me përgjegjësi konfirmojnë se dokumentacini i kompletuar për nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive me përpikëri dhe ashtu siç duhet nga ana e të gjitha universiteteve veç e veç është dorëzuar gjatë periudhës prej muajit maj 2023 gjer në dhjetor 2023 gjer te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, themeluesit të universiteteve.

Lidhur me kronologjinë, respektivisht zhvillimin e ngjarjeve rreth (mos)nënshkrimit të marrëveshjeve olektive, ua sjellim në kujtesë se në fillim të dhjetorit kemi dërguar një letër gjer te kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në shenjë të rikujtimit të nënshkrimit të marrëveshjeve kolektive. Pra, ia kemi tërhequr vëmendjen se po skadon afati për nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive. Gjatë muajit shkurt të këtij viti u vu në zbatim realizimi i Marrëveshjes Kolektive me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup dhe u bë pagesa e pagave sipas Marrëveshjes së re Kolektive. Menjëherë pas kësaj, të gjitha pesë sindikatat e universiteteve publike dërguam kërkesë për t’u pranuar urgjentisht te kryetari i Kuvendit. Më 15 shkurt 2024 u pranuam nga kryetari i Kuvendit në një takim, ku u tregua fakti se e kemi parashtruar dokumentacionin me kohë dhe se sikur të ekzistonte ndonjë problem me dokumentacionin, do të duhej të informohej secila organizatë sindikale. Në ndërkohë, u kërkua një takim me kryeministrin teknik të RMV, që na u premtua se do të realizohet më 2 mars 2024, por ky takim nuk u realizua. Pastaj më 4 mars 2024 u organizua protesta e qetë dhe dinjtoze.