Kandidati për president nga lëvizja “ZNAM”, Maksim Dimitrievski në Click Plus në TV21 u pyet nëse do të preferonte të bëhej pjesë e një Qeverie me partitë aktuale në opozitë, gjegjësisht Qeveri mes VMRO-DPMNE dhe VLEN apo Qeveri me partitë aktuale në pushtet LSDM-BDI. Dimitrievski thotë se nuk do të koaliciononte me udhëheqësinë aktuale të LSDM-së, ndërsa edhe për VMRO-DPMNE-në thotë se nuk do të koalciononte nëse kjo parti ende i ka shprehitë e vjetra.
-Qeveri me VMRO-DPMNE-në dhe opozitën e bashkuar shqiptare VLEN, sepse sipas anketave, 5-6 deputetë do t’i merrte ZNAM, numër solid për pjesëmarrje në Qeveri, a do të hynit në këtë qeveri, apo do të hynit në Qeveri LSDM-BDI?
“Një gjë mund ta them me përgjegjësinë më të madhe në studion tuaj, se ne si ZNAM, parti e sapoformuar, në asnjë moment nuk do të formojmë shumicë me udhëheqësinë aktuale të LSDM-së. Por nga ana tjetër në koalicionin e ardhshëm sigurt nuk do të bisedojmë me asnjë nga VMRO nëse ende i tërheqin narrativët dhe shprehitë e vjetra. Ata e kanë turbulluar ujin, le të koalicionojnë, edhe ashtu komunikojnë mirë mes vete, kurse ne do të mbesim opozitë me qytetarët”, tha Dimitrievski në TV21.