Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski kërkoi nga Prokuroria që të hetojë krimin në Ndërmarrjen “Rrugët Shtetërore”, lidhur me rrugën Shkup-Bllacë. Në një intervistë për Alsat Nikollovski tha se ish funksionarë të BDI-së nëpërmjet këtij projekti kanë dashur të përfitojnë materialisht. Ai tha se interesi i qeverisë është që të ndërtojë autostradën.

“Është shumë me rëndësi që sot në nivel ndërinstitucional, por e formalizojmë fillimin e realizimit të këtij projekti strategjik për Republikën e Maqedonisë. Bën distancën kohore ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës, nga dy orët e tanishme, në vetëm 45 minuta”, deklaroi Bujar Osmani, ish zv. kryeministër për Çështje Evropiane (11.01.2019).

Kjo është vetëm një pjesë, e njërit prej dhjetëra premtimeve, ku me harta dhe materiale promovuese u paralajmërua fillimi i ndërtimit të autostradës Shkup Bllacë, për të cilin flitet me dekada.

Prej kësaj konference e deri më sot, kanë kaluar katër vite, por rruga nuk ka përfunduar. 4 vite janë ndërtuar vetëm 2 kilometra që përfundojnë në një greminë 50 metra të thellë. Pjesa tjetër prej 10.5 kilometra që duhet të vazhdojë deri në qarkoren Stankovec, ende as nuk ka filluar.

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në intervistë për Alsat tha se funksionarët e BDI-së dhe struktura të caktuara të ish qeverisë, me projektin për ndërtimin e kësaj autostrade kanë dashur të përfitojnë para. Dokumentet, flasin që Banka për Rindërtim dhe Zhvillim apo BERZH, ka miratuar mjetet për ndërtimin e kësaj rruge që në vitin 2019 dhe në dispozicion kanë qenë prej vitit 2021, por megjithatë puna në terren ka ngecur te gremina ku mbarojnë dy kilometrat e para. Akuzat e Nikolloskit janë se ish drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, qëllimisht e ka ndryshuar projektin me qëllim që të rritet çmimi i realizimit të projektit.

“Unë do të ju përgjigjem pse nuk janë tenderuar, pasi që është ndryshuar traseja madje tre herë. Ky është versioni i tretë i trasesë. Derisa është ndryshuar traseja është rritur dhe çmimi pasi që ashtu është projektuar versioni final që të mundet vetëm një kompani ta fitojë tenderin”, u shpreh Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit.

Nikolloski, shpalosi një dokument të kompanisë për shërbime konsulente SUEZ e cila është zgjedhur nga BERZH për të kryer asistencë teknike të këtij projekti, me të cilën konfirmohet se rruga mund kushtojë 70 deri në 120 milionë euro më shumë nga shuma e paraparë.

“Ja më 31.05.2024 drejtorit paraprak të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore i dërgojnë shkresë me të cilën, qartë thonë se çmimi i parashikuar prej 172 milionë euro rritet në 240 milionë euro, me mundësi që e njëjta të rritet edhe 20% që të shkojë deri në 290, 300 milionë euro. Këtë letër ai e ka fshehur nga opinioni”, tha Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit.

Ndërkaq, në shkresën tjetër është shprehur shqetësim për projektimin e gjashtë tuneleve në këtë rrugë, të cilat nuk i plotësojnë standardet, gjegjësisht nuk kanë sisteme përkatëse për trajtimin e ujërave, sistem kundër zjarrit, për komunikim emergjent apo ventilim.

“Sikur më 17.09.2024 kanë dërguar letër në lidhje me tunelet, i njëjti është tërësisht i gabuar dhe mënyra siç janë projektuar tunelet nuk mund të realizohet në praktikë pasi është në kundërshtim me standardet evropiane dhe Bashkimi Evropian nuk do ta pranojë këtë rrugë si autostradë”, u shpreh Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit.

Ministri, theksoi gjithashtu se posedon dokumente për mënyrën e lëvizjes së pronës, që siç tha ai, qartë shihet se si një numër i pronave në trase u janë rishitur pronarëve të tjerë me qëllim që të përfitohet nga shpronësimi. Ai tha se e ka informuar Prokurorinë nga e cila kërkon që të hetojë krimin në “Rrugët Shtetërore”.

“Unë e kam informuar Prokurorinë Publike për mënyrën se si kanë punuar në Ndërmarrjen për Rrugë Shtetërore, tash u mbetet atyre që të nisin procedurë. E di se Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ndoshta kanë mendime të ndryshme për struktura të caktuara kadrovike, por jam i sigurt se pjesa tjetër e Prokurorisë në mënyrë të ndershme do ta bëjë punën dhe do ta hetojë krimin në Ndërmarrjen “Rrugët Shtetërore”, theksoi Aleksandar Nikollovski, Ministër i Transportit.

Se kur do të mbarojnë procedurat dhe fillojnë punët për ndërtimin e Autostradës, Nikolloski premtoi:

A keni ndonjë afat kur mundet të fillojnë punët në terren dhe kur do të mbarojnë?

“Të punojnë verën e ardhshme, ndërkaq në lidhje me afatin duhet ta japë kontraktori. Por, unë do të shoh që të mos jetë më i gjatë se tre vite. Përndryshe, qëllimi im dhe i Qeverisë është që të ndërtohet autostrada Shkup-Bllacë, jo të mos ndërtohet”, përgjigjet Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit. /Alsat.mk