Policia njofton ka identifikuar një të mitur 15-vjeçar nga Shtipi, i cili ishte filmuar duke drejtuar skuterin me një rrotë dhe duke rrezikuar sigurinë në komunikacion, përcjell TV21. Sipas MPB-së, rasti ka ndodhur më 11 maj në kryqëzimin e rrugëve “Sremski Front” dhe “Boris Krajger” në Shtip. Ndaj të miturit do të ndërmerren masa ligjore për vepër penale dhe kundërvajtje në komunikacion.
Lidhur me një video të publikuar në rrjetin social Facebook, ku shihet një person duke drejtuar skuterin me një rrotë dhe me atë veprim duke rrezikuar sigurinë në komunikacion, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë menjëherë masa dhe aktivitete për identifikimin e personit. Pas veprimeve të ndërmarra, SPB Shtip ka konstatuar se më 11.05.2026, rreth orës 21:00, në kryqëzimin mes rrugëve “Sremski Front” dhe “Boris Krajger” në Shtip, E.B. (15) nga Shtipi ka kryer vepër penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal, si dhe kundërvajtje në komunikacion në përputhje me Ligjin për Siguri në Komunikacionin Rrugor. Personi është gjetur dhe identifikuar, ndërsa ndaj tij po ndërmerren masat përkatëse ligjore në përputhje me dispozitat në fuqi”, thonë nga MPB.
Ndryshe, ky njoftim vjen një ditë pasi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski bëri të ditur se policia do të vendos në fokus ngasësit e motoçikletave që bëjnë veprime devijante, duke shkelur rregullat në komunikacion. Nga Ministria e Punëve të Brendshme apelojnë te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të sillen me kujdes dhe përgjegjësi dhe të mos kryejnë veprime të rrezikshme që rrezikojnë sigurinë personale dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

