Nga Sulejman Rushiti
Le t’u tregojë dikush atyre analistëve zhurmaxhi nga Kosova se përmes Maqedonisë, përmes mbjelljes së frikës te votuesi shqiptar këtu, te përhapja e panikut, nuk e ndryshojnë dot qeverisjen në Kosovë.
Është legjitime që ata të flasin e ta kritikojnë Kurtin dhe qeverisjen atje por është i palejueshëm ofendimi që i bëjnë një numri të madh intelektualësh, esnafësh, gazetarësh, etj duke i cilësuar si prorus!
Faktet janë komplet ndryshe nga sa propagandohen nga ata me tifozeri.
Fakti 1: Në Maqedoni ka vetëm një parti e proklamuar pro ruse. E majta. Rejtingu i saj është në rënie. Pra, rusofilia nuk qenka e përhapur as te maqedonët etnik.
Fakti 2: Qeverinë e ardhëshme do ta formojë VMRO, këtë fakt nuk e ndryshojnë dot analistët sepse nuk kanë ndikim tek votuesi maqedon, pra, britmat dhe zhurma e tyre është për t’i ndihmuar favoritit të tyre që të hyjë në qeveri me VMRO- në.
Fakti 3: Për çështje të ndjeshme etnike maqedonase, duhet patjetër konsenzus i dy partive më të mëdha maqedonase. Pra, marrëveshja me Bullgarinë nuk bëhet pa aprovimin edhe të VMRO-së.
Fakti 4: VMRO vetë ka qenë pjesë (në mos ka qenë partia e parë që ka nisur) bisedimet me Bullgarinë dhe afrimin e Maqedonisë me Bullgarinë.
Fakti 5 : LSDM- ja e dikurshme ka qenë rigjide në raport me Bullgarinë. Ka qenë tradicionalisht më e afërt me Sërbinë ( përjashto periudhën e Zaevit)
Fakti 6: Ka qenë VMRO- ja në qeveri me datë 09.10.2008 kur është pranuar pavarësia e Kosovës, por gjithashtu, para se të ndodhte ky akt, Z. Hashim Thaçi pritej me nderime protokollare në Shkup.
Fakti 7: Paniku që përhapin, për të favorizuar opcionin e tyre të bëhet pjesë e qeverisë, ia rrit votat VMRO së. Është reagim i natyrshëm.
Nëse çdo kritike ndaj zyrtarëve të korruptuar të BDI-së, u përgjigjeni me kërcënime e me skenare apokaliptike, atëherë votuesi kthehet në mbrojtje biologjike. (A do mbani përgjegjësi për këtë?!) A nuk është plan djallëzor, dhe madje interes rus ( pa vetëdije) të nxiten konflikte ndëretnike në Maqedoni?!
Janë edhe një sërë faktesh të pamohueshme. Fakt mbi faktet është se në periudha të ndryshme kohore, të dy partitë LSDM e VMRO kanë bërë gabime në raport me shqiptarët por kjo nuk domethënë se veprimet tona duhet të bazohen në veprime të kaluara.
Ne duhet të marrim vendime strategjike me vizion për të ardhmen. Kjo është gjendja faktike.
E fundit, por jo për nga rëndësia, nuk pranohet propaganda nga ana e BDI-së se është mëkat qeverisja me VMRO. Vetë ai subjekt ndenji në qeveri me VMRO- në në periudhën e viteve më të errëta për shqiptarët. Madje pas zgjedhjeve mezi u shkëputën nga kryesia e asaj kohe, që për mendimin tim e morri peng atë parti dhe ia ndërroi krahun ideologjik të së njëjtës.
E ndërsa flasim për ideologji, dikur Hasan Prishtina dhe VMRO ka patur bashkëpunim të ngushtë për MAQEDONINË SI ZVICRA E BALLKANIT.
Pra, le të fokusohemi te ato çështje që mund të ndikojmë. Te dekriminalizimi e departizimi. Me Rusinë merret krejt bota perendimore. Ne mund të marrim përsipër aq sa mund të bartim. Mos çoni pesha shumë të rrënda nëse nuk keni kurriz!