Opozita shqiptare do të formalizojë bashkëpunimin edhe në Kuvend duke formuar grup parlamentar. Për këtë vendim kreu i Kuvendit do të informohet zyrtarisht të hënën kurse ky hap ishte paralajmëruar kohë më parë nga të tre partitë e Lidhjes Evropiane për Ndryshim.
Konfirmimi për Alsat vjen edhe nga kreu i Besës, Bilall Kasami.
“Të hënën do të publikohet grupi parlamentar në Kuvend. Presim që me këtë të ecim edhe një hap më shumë dhe më përpara drejt homogjenizimit të opozitës, drejt faktorizimit të votës opozitare, drejt ngritjes dhe përforcimit të zërit opozitar në Kuvend, me çka vlerësojmë që votuesi opozitar do të jetë më i sigurt në votën e tij për ndryshim dhe rrotacion politik”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Besa në Kuvend ka një deputet, në grupin e Izet Mexhitit janë tre deputetë kurse Alternativa ka tre deputetë. Megjithatë nuk dihet nëse deputeti Hysni Ismaili, do të jetë pjesë e këtij grupi parlamentar, pasi ai kohë më para paralajmëroi se është pjesë e fraksionit të shkëputur nga Alternativa dhe kishte pezulluar aktivitetet brendapartiake.
E në kuadër të përgatitjes për zgjedhjet që vijnë, Lidhja Evropiane për Ndryshim pret të kenë përfaqësuesin e tyre edhe në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Megjithatë, kryetari i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, në intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ekziston rreziku që pushteti të pengojë opozitën të fitojë këtë të drejtë. Kjo, sipas tij, ngjallë dyshime se po përgatiten për zgjedhje jo të drejta dhe jo demokratike.
“Po dhe problemi ka emër; Talat Xhaferi, BDI-ja dhe Aleanca. Duan të na bindin për diçka për të cilën nuk kanë asnjë argument. Anëtarë në KSHZ paraprakisht ka qenë anëtar i Aleancës i cili tani është ministër i Drejtësisë. Vetë fakti që është ministër tregon se ai është pjesë e pushtetit, e shumicës dhe nuk ka asnjë logjikë ata të pretendojnë se përfaqësojnë opozitën. Këtu lënë përshtypje të keqe se po përgatisin diçka. Konkursi është i hapur dhe ne kemi ofruar kandidat, ai është Abdush Demiri nga Besa”, tha Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Pasi të mbyllet konkursi, sipas ligjit, opozita shqiptare duhet të ketë anëtarin e përzgjedhur prej saj në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Nëse kjo nuk ndodh, Mexhiti thotë se do të ndërmarrin masa më radikale demokratike./ Alsat.mk