“RANGERS ndihet i emocionuar të njoftojë nënshkrimin e Nedim Bajramit nga klubi italian i Sassuolos në baza të përhershme, subjekt i lejes ndërkombëtare, përkundrejt një tarife të pazbuluar (flitet për 4 milionë euro nga mediat italiane).

Kështu e nis shkrimin faqja zyrtare e klubit të njohur skocez mbi transferimin e numrit 10 të kuqezinjve. Më tej vazhdon: “Mesfushori 25-vjeçar ka nënshkruar një kontratë afatgjatë me skuadrën e Philippe Clement dhe bëhet përforcimi i 11-të i merkatos së verës.

Bajrami bëri histori kësaj vere, kur shënoi golin më të shpejtë ndonjëherë në historinë e finaleve të Kampionatit Evropian. Ai e gjeti rrugën e rrjetës pas 23 sekondash kundër Italisë. ‘Playmakeri’ e filloi karrierën e tij me skuadrën zvicerane të Grasshoppers, përpara se të transferohej tek Empoli në huazim, më 2019.

Ai më pas e bëri transferimin e përhershëm tek Empoli, përpara se të bashkohej me Sassuolon në janar 2023. Duke folur ekskluzivisht për faqen e internetit të Rangers, pas lëvizjes së tij, futbollisti shqiptar tha: “Jam i kënaqur që i bashkohem një klubi të madh si Rangers. Është një klub i njohur në mbarë botën, që ka fituar shumë trofe dhe kanë konkurruar në një finale evropiane vitet e fundit.

[4×5 – Bajrami]

Kam pasur disa biseda të mira me trajnerin dhe besoj se Rangers është lëvizja e duhur për mua, në këtë pikë të karrierës. Mezi pres t’i takoj të gjithë bashkëlojtarët dhe tifozët e mi të rinj në të ardhmen e afërt”.

Trajneri Philippe Clement shtoi: “Jam i kënaqur të mirëpres Nedimin në klub. Ai është dikush që e kemi vëzhguar me vëmendje për një periudhë kohore. Jemi të lumtur ta shtojmë atë në skuadrën tonë.

Shumë nga mbështetësit tanë do ta kenë parë në Kampionatin Europian, si edhe duke luajtur në Serie A sezonin e kaluar. Nedim është një moshë ende të re, por gjithashtu ka përvojë të luajë në ndeshje të mëdha. Jemi të kënaqur që ka vendosur se Rangers është klubi i duhur për të në këtë pikë të karrierës së tij”.

Drejtori i rekrutimit të futbollit, Nils Koppen, shtoi: “Ne jemi të kënaqur ta mirëpresim Nedimin te Rangers dhe në futbollin skocez. Ai ka shumë përvojë, sepse ka luajtur në ligën zvicerane dhe Serie A vitet e fundit, gjithashtu ka përfaqësuar vendin e tij në Europianin e fundit. Bajrami do t’i përmirësojë më tej opsionet që kemi në dispozicion të trajnerit. Ne mendojmë se do të ketë sukses në klubin tonë të futbollit”.