E diel, 20 Prill, 2025
BallinaLajmeBotaProtesta masive në SHBA kundër pushtetit të Trump

Protesta masive në SHBA kundër pushtetit të Trump

Qindra protesta antiqeveritare u zhvilluan dje në Shtetet e Bashkuara, si reagim ndaj politikave të presidentit Donald Trump.

Nga Vajoming deri në Uashington dhe nga Misisipi deri në Manhatan, protestat u mbajtën nën moton “50501” – një nismë e decentralizuar që nisi në rrjetin social Reddit, me qëllim organizimin e protestave në të 50 shtetet amerikane që fillimisht ishin parashikuar për 5 shkurt. Sipas zëdhënësit të lëvizjes, bëhet fjalë për aktivistë prodemokratikë që kundërshtojnë autoritetin ekzekutiv të tepruar përmes rezistencës paqësore.

Protestat e djeshme përkuan me 250-vjetorin e fillimit të Luftës Revolucionare Amerikane. Në vend të demonstratave klasike, organizatorët bënë thirrje për një “ditë veprimi”, duke theksuar nevojën për të kujtuar politikat e ashpra të imigracionit, paqëndrueshmërinë ekonomike dhe shkurtimet drastike të stafit federal. Si pjesë e protestës, u organizuan aksione pastrimi në lagje dhe u mblodhën ushqime dhe produkte higjienike për donacione.

Në National Mall në Uashington, mijëra protestues kërkuan kthimin e Kilmar Abrego Garcia, i cili ishte deportuar në El Salvador. Protesta u bashkua me grevën e punonjësve të Byrosë për Mbrojtjen e Konsumatorëve, personeli i së cilës është shkurtuar me 90 për qind. Kritikave nuk i shpëtoi as Elon Musk dhe shërbimi i tij DOGE.

Ndërkohë, pati edhe kundërprotesta, por ato nuk penguan zhvillimin paqësor të protestave kryesore, edhe pse në disa vende u raportuan arrestime të protestuesve për shkak të sulmeve të supozuara ndaj policisë. Demonstrata të tjera u mbajtën përpara Shtëpisë së Bardhë dhe rezidencës së nënpresidentit J. D. Vance, ndërsa organizatorët theksuan se ndihma e ndërsjellë është forma më e fortë e rezistencës dhe solidaritetit.

Protesta të mëdha u zhvilluan gjithashtu në qytete si Nju Jork, Los Anxhelos dhe disa të tjera në të gjithë vendin.

Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments