Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia ka sulmuar Ukrainën me 90 raketa dhe 100 dronë gjatë natës të së mërkurës, në përgjigje të sulmeve të Ukrainës me raketa amerikane dhe britanike javën e kaluar.
“Kemi kryer një goditje gjithëpërfshirëse duke përdorur 90 raketa dhe 100 dronë. U goditën 17 objektiva. E përsëris edhe një herë se këto sulme nga ana jonë u zhvilluan edhe në përgjigje ndaj sulmeve të pandërprera në territorin rus nga raketat amerikane ATACMS. Siç është thënë shumë herë, do të ketë gjithmonë një përgjigje nga ana jonë”, ka thënë Putin.
Putini ka deklaruar të enjten se Rusia është duke i zgjedhur caqet në Ukrainë që mund të përfshijnë qendra vendimmarrëse në Kiev, raporton BBC.
“Aktualisht, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Ruse janë duke përzgjedhur objektiva për goditje në territorin ukrainas. Këto mund të jenë objekte ushtarake, ndërmarrje të industrisë së mbrojtjes ose qendra vendimmarrëse në Kiev. Për më tepër, regjimi i Kievit ka tentuar vazhdimisht të godasë objektet e rëndësishme shtetërore ruse në Shën Petersburg dhe Moskë dhe këto përpjekje vazhdojnë”, ka shtuar ai.
Ai ka shtuar se Rusia ka lëshuar 100 raketa dhe 466 dronë në Ukrainë gjatë dy ditëve të fundit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë të njëjtat shifra në një deklaratë që bëri të enjten duke thënë se municione të rënda janë përdorur posaçërisht kundër infrastrukturës civile.
Ukraina përdori armët e Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së për të goditur territorin rus për herë të parë javën e kaluar, gjë që shkaktoi sulme hakmarrëse nga Rusia.