Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë se furnizimi i qeverisë me 45 automjete përmes lizingut është në program të rregullt dhe se realizimi real është në nëntor.

“Është në planin afatmesëm, dihet në sa kilometra janë ndërrohen automjetet zyrtare dhe nuk furnizohen tani. Mendoj se do të duhet deri në nëntor të furnizohen kur realisht do të realizohet, por sepse është në planin e rregullt të furnizimit, në programe, pavarësisht nga procesi zgjedhor, shteti dhe institucionet funksionojnë”, tha Bytyqi në pyetjen e gazetarëve pas vizitës së kompaniasë vendore që është shfrytëzuese e mjeteve nga Ligji për Mbështetjen Financiare të Investimeve.

Qeveria kërkon 45 automjete me naftë, komplet te reja me motor minimal 2000 metra kub. Hapja e ofertave do të bëhet në mënyrë elektronike më datë 27 mars. Një ofertë nuk do të pranohet nëse ka një “çmim jashtëzakonisht të ulët”.

Tre vite më parë, Qeveria bleu 45 automjete luksoze Škoda Superb me vlerë 1.5 milionë euro pa TVSH. Lizingu mujor për një veturë, sipas kontratës, ishte 60 mijë denarë me TVSH, ndërsa çmimi i përgjithshëm i një automjeti arrinte rreth 40 mijë euro.