Përpjekjet e BDI-së për të krijuar mjegull rreth çështjes së emërtimit të rrugëve në Tetovë po përballen me reagime të drejtpërdrejta nga vetë qytetarët, të cilët po publikojnë dokumente zyrtare që hedhin poshtë pretendimet dhe akuzat politike.
Në rrjetet sociale, një qytetar u bëri thirrje banorëve të rrugës që sipas dokumenteve figuron si “JNA”, të publikojnë dokumentet e identifikimit për të dëshmuar se me cilin emër ka figuruar adresa e tyre ndër vite.
“A bën t’i nxirrni kopjet e dokumenteve të identifikimit? Të shohim se ku keni banuar viteve të fundit, në ‘Dërvish Cara’ apo JNA?”, shkruan ai në reagimin e tij publik.
Një tjetër publikoi kartën e identitetit ku qartë shihet se adresa e tij figuron si “29 Nëntori”, duke kundërshtuar pretendimet se vendimet e fundit kanë ndryshuar emërtimet që qytetarët kanë përdorur në dokumentet zyrtare.
“Unë jetoj në rrugën ’29 Nëntori’ dhe kjo rrugë në dokumentet zyrtare gjithmonë ka qenë ’29 Nëntori’. Vetëm në letrat që vijnë nga komuna, si faturat e mbeturinave dhe të ujit, kjo rrugë quhet Mehmet Pashë Deralla”, shkruan ai, duke publikuar edhe dokumentin e identifikimit si dëshmi.
Reagimet e qytetarëve vijnë në një kohë kur BDI po tenton të paraqesë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese si goditje ndaj emrave shqiptarë të rrugëve. Megjithatë, dokumentet e publikuara nga vetë banorët po hapin debat mbi faktin se shumë prej emërtimeve të kontestuara nuk kanë qenë të reflektuara në evidencat zyrtare shtetërore as gjatë viteve të kaluara.
Qytetarët kërkojnë që debati të mbështetet në fakte dhe dokumente, e jo në interpretime politike, duke theksuar se e vërteta mund të vërtetohet lehtësisht përmes dokumentacionit zyrtar që secili qytetar posedon.
Publikimi i dokumenteve nga vetë banorët po shihet si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj akuzave politike, duke e zhvendosur debatin nga retorika partiake tek faktet konkrete.

![]()

