SPB Tetovë ka ngritur kallëzim penal kundër N.D. (44) nga Tetova, i dyshuar për lëndim trupor ndaj vëllait të tij. Ngjarja ka ndodhur më 1 shtator, pas një mosmarrëveshjeje paraprake.
Ndërkaq, në Koçan, kundër G.P. (33) është ngritur kallëzim penal për rrezikim të sigurisë, pasi dyshohet se më 5 nëntor ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe e ka kërcënuar.
Një tjetër rast shqetësues është raportuar në Tetovë, ku policia ka arrestuar N.K. (40), pas denoncimit se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij jashtëmartesore, 27-vjeçare. Sipas denoncimit, ai dyshohet se e detyronte gruan të shkonte me burra të tjerë dhe të mos kthehej në shtëpi pa para, ndërsa paratë që ajo fitonte nga lypja duhej t’ia dorëzonte atij. Për rastin është njoftuar Qendra për Punë Sociale në Tetovë, e cila do të kujdeset për strehimin e gruas.
Në Ohër, një 19-vjeçare ka denoncuar se është sulmuar fizikisht në shtëpinë e bashkëshortit të saj jashtëmartesor nga ai, nëna dhe babai i tij. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.
Kërcënime ndaj bashkëshorteve janë raportuar edhe në rajonin e Prilepit. Një 30-vjeçar nga një fshat i Komunës së Krivogashtanit është privuar nga liria, pasi dyshohet se kishte kërcënuar bashkëshorten e tij 19-vjeçare. Gjithashtu, një 36-vjeçar nga Shkupi ka denoncuar sjellje agresive dhe kërcënime me jetë nga ish-partneri i një gruaje 36-vjeçare.

