Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ka përcjellë një mesazh urimi, duke bërë thirrje për unitet kombëtar, vetëdije dhe angazhim të vazhdueshëm në mbrojtjen e identitetit dhe të drejtave të shqiptarëve.
Në mesazhin e tij, Sela ka vënë në pah rëndësinë e trashëgimisë së rilindësve dhe sakrificës së dëshmorëve të kombit, duke theksuar se amaneti i tyre nuk duhet të mbetet vetëm pjesë e historisë, por të shërbejë si udhërrëfyes për veprimet dhe përgjegjësitë e sotme ndaj së ardhmes.
“Sot kujtojmë me nderim dhe përulje të thellë vizionin e rilindasve tanë, të cilët me penë, fjalë e guxim hodhën themelet e shtetformimit dhe të vetëdijes kombëtare, si dhe sakrificën sublime të dëshmorëve të kombit. Amaneti i tyre nuk është thjesht një kujtim i bukur i së kaluarës, por një detyrim i përditshëm që na udhëheq në çdo hap”, ka shkruar Sela.
Ai ka theksuar se flamuri kuqezi, i ngritur në Krujë dhe në Vlorë, mbetet simbol i bashkimit, dinjitetit dhe qëndresës së shqiptarëve. Sipas tij, ruajtja e gjuhës, kulturës, historisë dhe identitetit kombëtar është një përgjegjësi që duhet bartur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.
“Përgjegjësia jonë ndaj flamurit dhe ndaj Kombit matet me përkushtimin tonë për të mbrojtur të drejtat tona, për të punuar me ndershmëri dhe për të mos u dorëzuar kurrë përballë sfidave”, ka theksuar kreu i Lidhjes Shqiptare.
Në përmbyllje të mesazhit, Sela ka ftuar shqiptarët që 28 Nëntorin ta shohin jo vetëm si ditë kremtimi dhe kujtimi, por edhe si moment reflektimi mbi përgjegjësitë kombëtare, duke kërkuar më shumë unitet dhe veprime konkrete në shërbim të kombit.
“Le të jetë ky 28 Nëntor një thirrje për unitet, vetëdije dhe veprim të vendosur, duke nderuar amanetin e të parëve tanë jo vetëm me fjalë, por me punë konkrete në shërbim të Kombit dhe të dinjitetit tonë. I pavdekshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve dhe i rilindasve tanë! Gëzuar 28 Nëntorin!”, ka përfunduar Sela.

