Shoferi që shkaktoi aksidentin në Rrugën e Plastikave ku si pasojë humbi jetën motoçiklist 19-vjeçar Muzafer Fetahi është dërguar në paraburgim, ndërsa Prokuroria ka hapur hetim nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së personave dhe pronës në komunikacion”. Sipas Prokurorisë, N.H. nga Vizbegu ka shkelur rregullat e trafikut duke kaluar mbi vijën e dyfishtë të plotë për të kryer kthim majtas në kryqëzim, ndërsa gjatë drejtimit të automjetit ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike.
“31-vjeçari i dyshuar në orët e mbrëmjes së 29 majit ka qenë duke drejtuar automjetin Audi A4 nëpër bulevardin “Nikolla Karev” dhe kur ka arritur në udhëkryqin me rrugën “Prohor Pçinjski”, nuk e ka respektuar sinjalizimin e trafikut dhe duke kaluar nëpër korsi me dy vija të plota ka hyrë në korsinë për lëvizjen e automjeteve në drejtim të kundërt, duke kthyer për në anë të majtë të korsisë. Gjithashtu, në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë e Komunikacionit të Rrugëve, automjetin e ka drejtuar nën ndikim të drogave narkotike”, deklaroi Prokuroria Themelore Publike.
• Shoferi 31-vjeçar ka kaluar në dy vija të plota
• Aksidentin e ka shkaktuar në gjendje të droguar
Sipas Prokurorisë, i dyshuari me vetëdije e ka rrezikuar komunikacionin publik dhe i ka vënë në rrezik jetët e njerëzve pasi nuk u është përmbajtur rregullave.
“Me pjesën e parë të automjetit ka goditur motoçikletën BMV, derisa në pjesën e pasme të automjetit të tij ka goditur motoçikletën Honda HDV, të cilët kanë qenë duke ardhur nga drejtimi i kundër dhe kanë qenë duke lëvizur në mënyrë paralele. Nga fuqia e goditjes, i dëmtuari që ka qenë duke e drejtuar motoçikletën BMV ka marrë lëndime të rënda trupore, prej të cilave ka ndërruar jetë”, thanë nga Prokuroria Themelore Publike.
• Me pjesën e parë të automjetit ka goditur motoçikletën BMV, derisa në pjesën e pasme ka goditur motoçikletën Honda HDV.
• I dëmtuari që ka qenë duke e drejtuar motoçikletën BMV, ka ndërruar jetë.
Ky është një tjetër aksident i rëndë që rikthen në vëmendje shqetësimin për sigurinë në komunikacion në Shkup. Vetëm pak ditë më parë, qarkorja e Shkupit u bë skenë e një tragjedie të rëndë ku humbën jetën katër persona, aksident që tronditi opinionin publik dhe ngriti sërish pyetje mbi kujdesin në udhëtim dhe sigurinë në rrugë./Alsat.mk.

