Sindikatat e universiteteve publike në vend, që nuk u përfshinë në vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave, të hënën do të dalin në protesta, shkruan Alsat.

Në njoftimin e Universiteteve shtetërore theksohet se me miratimin unanim të të gjitha sindikatave të pesë universiteteve publike, të anashkaluara e të diskriminuara me mosnënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive prej Kuvendit protesta e punonjësve do të mbahet para hyrjes së universiteteve.

Sindikatat shprehen kundër standardeve të dyfishta, diskriminimit dhe pabarazisë ndaj universiteteve të tyre, pasi e gëzojnë të njëjtin status dhe se shteti padrejtësisht i ka lënë anash.

Nën njoftim theksohet se sindikatat nuk janë kundër askujt dhe protestat nuk kanë kurrfarë ngjyrimi politik, por ato organizohen për kthimin e dinjitetit, integritetit dhe drejtësisë së shkelur e të nëpërkëmbur nga ana organet vendimmarrëse.

Ndërkohë profesori në Universitetin e Tetovës, Bashkim Ziberi, në intervistë për Alsat, ai ftoi kolegët e tij nga Universiteti i Tetovës t’i bashkëngjiten protestës. Sipas tij do të ishte gabim i madh mospjesëmarrja në protestë.

“Kemi lajmërime nga kolegët e universiteteve tjera, neve të UT-së akoma s’na ka ardhur lajmërimi për një protestë të organizuar të mësimdhënësve dhe stafit administrativ për ditën e hënë në ora 13:00. Dhe kjo tregon për jo gatishmërinë e Qeverisë aktuale dhe kryetarit aktual të Parlamentit për të zgjidhur këtë ngërç që ata e kanë krijuar. Do të ishte gabim i madh nëse ne nuk marrim pjesë kundër diskriminimit që na bëhet në vazhdimësi”, tha Ziberi./ Alsat.mk