Kandidati për deputet nga koalicioni VLEN, Halil Snopçe tha se nuk mund të promovosh “Front Evropian” me gardën e vjetër të Gruevskit.

“Ne themi se Gruevski ka qenë pushteti më i kriminalizuar. Nuk mund të promovosh “Front Evropian” me kandidat për deputet në lista të zeza të Amerikës. Nuk mund të promovosh “Front Evropian” me bashkëpunim komplet jo të natyrshëm. Kanë thënë çmos për njëri-tjetrin. Menduh Thaçi ka thënë për Ali Ahmetin vrasës. Zidian Sela për Ali Ahmetin ka thënë se ka qenë organizatori i 27 prillit, se Ali Ahmeti ka faj në tendencën ndaj për për eliminim dhe tani i bashkojnë forcat. Pse i bashkojnë forcat?”, tha Snopçe.

Sipas tij, BDI ende nuk është deklaruar se me cilën parti do të bëjnë koalicion në qeverinë e ardhshme.

“BDI duhet të prononcohet. Nëse dëshiron të jetë në qeveri me cilën parti do të koalicionojë. Ata nuk janë prononcuar”, tha Snopçe.

Snopçe shtoi se BDI në njërën anë kritikojnë VMRO-në, kurse në anën tjetër e lusin ata që i kritikojnë.

“Qeveria e ardhshme do të krijohet ajo qi bën 61 deputetë, prandaj e pyes BDI-në me cilën parti do të formojë qeveri. Sipas rezultateve të 24 prillit, nëse i kthejmë në mandate, LSDM merr 24 deputetë. Maksim Dimitrievski tha se në asnjë mënyrë nuk hyn në qeveri nëse aty është BDI. Gjithë shqiptarët të bëhen bashkë, plus 24 të LSDM-së, nuk formohet qeveria. Kjo i bie se BDI mund të formojë qeveri vetëm me VMRO-në, kurse nga ana tjetër VMRO u shpreh qartazi se nuk ka vend për BDI-në në qeverinë e ardhshme”, tha Snopçe duke i bërë apel BDI-së të tregojë se me cilën parti do të formojë Qeverinë dhe se prandaj e lut këtë parti.

Në fund Snopçe po ashtu pyeti BDI-në pse nuk e mbështesin Stevo Pendarovskin në rrethin e dytë siç e mbështetën atë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 si kandidat konsensual.