Qeveria e re bullgare kumtoi se i ka refuzuar bisedimet me Maqedoninë e Veriut për lehtësimin e kushteve, në të cilat Shkupi mund t’i fillojë bisedimet me BE-në, thekson portali “Euroaktiv” në Bruksel. “Para tre viteve, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur marrëveshje, me ndërmjetësim të Francës, për lëshime reciproke për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor. Qeveria e Shkupit është pajtuar të përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutën e saj, ndërsa autoritetet në Sofje premtuan se do ta shfuqizojnë veton për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut”, thuhet në tekstin e publikuar dje.
Autori i tekstit tutje theksoi se vitin e kaluar erdhi deri te ndryshimi i qeverisë në Shkup dhe se Qeveria e tij e udhëhequr nga Hristijan Mickoski premtoi se “nuk do të bëjë lëshime ndaj Sofjas”.
“Euroaktiv” transmeton deklaratën e Mickoskit se pret që në zgjedhjen e qeverisë së rregullt në Sofje të fillohen bisedimet për shfuqizimin e vetos bullgare, por theksoi se sinjalet e para nga ana e palës bullgare janë se nuk dëshirojnë të ketë përsëritje të dialogut. “Bullgaria thekson se përfshirja e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut nuk është problem dypalësh, por është kusht i Brukselit ndaj Shkupit”, thuhet në portal. Në tekst transmetohet edhe deklarata e ministrit anonim bullgar se Bullgaria mbetet “jashtëzakonisht konsistente” në politikën e saj drejtë Ballkanit Perëndimor dhe të integrimit evropian në të gjitha vendet e rajonit.
Nga ana tjetër sipas “Euroaktiv”, VMRO-DPMNE-ja vazhdon të insistojë që ndryshimet kushtetuese të miratohen tani, por të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE për të parandaluar rrezikun që Bullgaria të vendos një veto të re për kushte të tjera si dhe kryeministri Mickoski tashmë ka kërkuar takime me përfaqësues të Qeverisë bullgare.
“Në të kaluarën kemi pasur takime me udhëheqësit më të lartë bullgar, me kryeministrin e tyre teknik të atëhershëm. Presim që në periudhën që pason, në nivel të ndryshëm të ketë takime me Qeverinë bullgare dhe kjo nuk është diçka që duhet të na befasojë. As ne do të zhdukemi, as ata nuk do të zhduken, ne do të jemi përsëri fqinj. Duhet të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, por kjo nuk do të thotë se do të dakordohemi në disa tema, që na ndajnë”, transmeton “Euroaktiv” deklaratën e kryeministrit Mickoski.