Spanja dhe Franca janë vetëm një hap larg finales së madhe të Kampionatit Evropian “Euro 2024”, pasi sonte (e martë) përballen mes vete në kuadër të gjysmëfinales së parë.
Spanja, duke u mburrur me një rekord të përsosur deri më tani, arriti në gjysmëfinale pasi e mposhti nikoqiren e këtij kampionati, Gjermaninë.
Në anën tjetër Franca e mposhti pas penalltive Portugalinë. Sulmuesi i Francës, Antonio Griezmann, ka thënë para gjysmëfinales së spanjollët nuk i frikësohen asnjë kundërshtari.
Ai ka lavdëruar dyshen Yamal – Williams, por beson se do të arrijnë t’i ndalin dhe të kualifikohen në finale.
“Asnjë skuadër nuk na tremb. Duhet të kemi besim te vetja jonë, dhe të japim gjithçka në fushë për të arritur në finale, mungon vetëm një ndeshje për ta bërë këtë. Është fantastike të arrish gjithnjë mes katër ekipeve më të mira. Spanja është një skuadër e madhe, me një trajner të ri që po bën mirë dhe me lojtarë të rinj si Yamal dhe Williams. Tani është radha jonë për t’i bërë keq në sulm dhe t’i bllokojmë këto lojtarë në mbrojtje”, ka thënë Griezmann.
Në çerekfinalen ku u përballën dy skuadrat ndër më të forta të turneut, fituese doli Spanja ndaj Gjermanisë, pasi realizoi në shtesë për 2-1 nëpërmjet Mikel Merino.
Koha e rregull përfundoi 1-1 ku Dani Olmo ishte shënues për spanjollet, derisa për gjermanët barazoi Florian Wirtz. Spanja është e vetmja skuadër që i ka të gjitha fitore deri më tash në këtë kampionat.
Në anën tjetër, Franca, pasi e humbi vendin e parë në grup nga Austria, arriti në 16-të ta eliminojë Belgjikën dhe në çerekfinale e mposhti Portugalinë pas penalltive. Spanja në këtë ndeshje do të ketë mungesën e dy mbrojtësve Dani Carvajal dhe Robin Le Normand për shkak të pezullimeve, ndërsa Pedri u lëndua dhe do të jetë mungesë e madhe. Navas, Nacho dhe Olmo pritet të jenë zëvendësuesit e tyre.
Ndërkohë Franca nuk ka probleme me mungesa, përveç shqetësimit për Kylian Mbappe, i cili e ka të lënduar hundën.
“Jam mirë dhe jam shumë i lumtur. Po rikuperohem dhe po përgatitem sa më mirë për ndeshjen e radhës. Finalja? Nuk është shumë larg. Jemi vetëm një hap larg, por fitorja nuk është e lehtë. Ndeshjet kundër Francës janë gjithmonë të komplikuara, por ne mund ta bëjmë këtë hap. Franca është një skuadër shumë e fortë, e cila arriti në gjysmëfinale për meritat e saj dhe pa asnjë surprizë. Ne e dimë mirë se çfarë mund të bëjnë lojtarët e saj. Ne duhet ta vlerësojmë cilësinë teknike individuale të sulmuesve të tyre, por duhet të fokusohemi te vetja. Jemi në një dinamikë shumë pozitive”, ka thënë sulmuesi i Spanjës, Dano Olmo.
Formacionet e mundshme:
Spanja: Simon: Navas, Nacho, Laporte, Cucurella; Olmo, Rodri, Ruiz: Yamal, Morata, Williams.
Franca: Maignan; Kounde, Saliba, Upamecano, Hernandez; Kante, Tchouameni, Rabiot; Griezmann; Kolo Muani, Mbappe.