Në Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane, që po mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Hristijan Mickoski pati disa takime dypalëshe, ndër të cilat edhe me ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe.
Siç thotë në video-deklaratën, është takuar me burrështetas nga rajoni dhe fqinjësia – me presidentët e Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë – Aleksandar Vuçiq, Jakov Milatoviq dhe Rumen Radev, si dhe me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Në të gjitha këto takime, thotë Mickoski, ka pasur mundësi të diskutojë për sfidat për rajonin dhe për prioritetet e Qeverisë së Maqedonisë.
“Prioriteti kryesor i Maqedonisë dhe Qeverisë së re Maqedonisë janë marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përfundimisht gjetja e një zgjidhjeje të përhershme dhe të qëndrueshme për problemin që kemi me fqinjin tonë lindor. Më tej do të veçoja takimet që kam pasur me presidentin Zelenski, por edhe me kryetarin e Këshillit Evropian, Mishel, ku i kam prezantuar qartë qëndrimet e qeverisë së re maqedonase, thotë Mickoski në deklaratën e transmetuar nga shërbimi për shtyp i qeverisë.