Një deklaratë televizive e ish-kryetarit të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ka nxitur reagime të ashpra në opinion, pasi ai ka pretenduar publikisht se në protestën paqësore të banorëve të Debreshit për çështjen e ujit të pijshëm kanë marrë pjesë persona të lidhur me narkotikë. Ndaj kësaj akuze kanë reaguar menjëherë përmes një deklarate të përbashkët publike Shoqata Debreshi, Forumi Rinor i Debreshit dhe Këshillat e Xhamive të Debreshit, të cilët e kanë cilësuar këtë si një fyerje jashtëzakonisht të rëndë për të gjithë komunitetin. Organizatat nënvizojnë se kjo është një akuzë e papranueshme ndaj qytetarëve të Debreshit, një vendbanim me mbi 6.000 banorë, të cilët për më shumë se 20 vite përballen me mungesën e ujit të pijshëm dhe kërkojnë zgjidhje të këtij problemi jetesor vetëm përmes mjeteve demokratike dhe paqësore.
Për këtë arsye, shoqatat dhe institucionet lokale i drejtojnë një kërkesë të prerë z. Arben Taravari që të kërkojë falje publike dhe të sqarojë menjëherë deklaratën e tij përpara opinionit. Ata paralajmërojnë zyrtarisht se në të kundërtën do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë e ndërmarrjes së procedurave ligjore për të mbrojtur dinjitetit dhe reputacionin e nëpërkëmbur të qytetarëve të tyre. Në mbyllje të reagimit, Shoqata Debreshi, Forumi Rinor dhe Këshillat e Xhamive sigurojnë se qytetarët nuk do të zmbrapsen nga akuzat dhe do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtën e tyre legjitime për furnizim me ujë të pijshëm në mënyrë demokratike, të qetë dhe të organizuar si gjithmonë.

