Në politikën shqiptare, kur dikush largohet pa paralajmërim, zakonisht ka dy mundësi: ose po bën sakrificë historike për kombin, ose po përgatitet të rikthehet më fuqishëm, zakonisht me ndonjë kalë simbolik, të bardhë ose të larë së fundmi.
Këtë herë, protagonist është Arben Taravari, i cili njoftoi largimin e tij të papritur nga qeveria, duke lënë pas një re të dendur misteri që duket më shumë si tymnajë për të mbuluar një plan të vjetër me paketim të ri.
Reagimet nuk munguan, por ndër më pikantët ishte ai i ish-deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Syrja Rashidi. Me një status në fejsbuk, ai shprehu habinë për këtë “mister të madh” që Taravari po përpiqet ta shesë si lëvizje strategjike për të mirën e shqiptarëve. Por nëse dikush po pret një epokë të re politike, Rashidi ka një paralajmërim me shije ironike:
“E mira më e madhe që mund të ndodhë është që të rikthejë Ali Ahmetin mbi kalë të bardhë.”
Një mesazh që lexohet qartë. Pas gjithë kësaj tymnaje, ndoshta po përgatitet një rikthim spektakolar i së shkuarës, i një figure që shumëkush mendoi se kishte zbritur nga skena politike. Kalë i bardhë? Mund të jetë edhe mushkë e vjetër e lyer me bojë
Në fund të ditës, shqiptarët ndoshta nuk kanë më nevojë për kalorës mitikë, por për njerëz që zbresin nga kali dhe punojnë realisht. Deri atëherë, skenari politik vazhdon me po të njëjtët aktorë dhe një publik që pret… nëse jo një mrekulli, të paktën një kapitull të ri pa aktorë të ricikluar ku kalërojnë gjithnjë të njëjtët kalorës, qëherë pas here ndërrojnë ngjyrën e kalit.