Ne do të respektojmë çdo vendim të gjykatës sepse jemi të sigurt se kemi shumicën në Kryesinë Qendrore dhe në Kuvendin Qendror dhe në mesin e delegatëve të Kongresit, tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pala tjetër ka pasur probleme për të mbledhur nënshkrime për të vërtetuar se ata kanë dy të tretat, ata kanë nevojë për dy të tretat, neve na duhet vetëm një gjysmë.

Kemi më shumë se gjysmën, më shumë se pesëdhjetë për qind të delegatëve, nga anëtarët e Kryesisë Qendrore. Ata kanë nevojë për dy të tretat – gjë që është e pamundur. Është një fraksion në Aleancën për Shqiptarët që është e nxitur dhe shumë e afërt BDI-në, tash e disa muaj, por është qëndrimi i tyre legjitim që unë e respektoj – tha Taravari.
Ai mbetet i mendimit se presidenti i shtetit duhet të zgjidhet në Kuvend sepse në këtë mënyrë do të zvogëlohen shpenzimet, e megjithatë, siç tha ai, është vend me demokraci parlamentare, jo me sistem presidencial. Njëkohësisht ai ka shtuar se ka pritur që Ali Ahmeti të jetë kundërshtar i tij, për ta bërë më interesante garën politike mes tyre.