Seanca e fundit plenare për këtë sesion është ndërprerë për 30 minuta, pasi opozita bllokoi foltoren.

Opozita kërkon mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që të ndryshohet rendi i ditës. Nga ana tjetër Gazment Bardhi kërkon praninë e kryeministrit Edi Rama në seancë.

Bardhi: Rama që është kapur duke vjedhur nga BE, të lërë dhënien e mendve për BE dhe të vijë të japë llogari për inceneratorët, s’ka nevojë të fshihet pas ministreve. Zonja drejtuese e seancës, unë i bashkohem asaj që ju thatë, respekt maksimal për cunat e gardës që janë këtu, por nuk ka asnjë nevojë për prezencën e tyre këtu. Ata duhet të veprojnë vetëm me urdhër të kryetares së Kuvendit. Hajdutët zakonisht fshihen nga frika. Vetëm në një dosje si ajo e inceneratorëve, ka dalë gjysma e qeverisë. Kemi kërkuar prezencën e kryeministrit. Çfarë nevoje ka kryeministri të fshihet pas Elisës, Oltës, etj. Pse duhet ky njeri që sjell ligjet e Klodian Zotos, të fshihet pas votës së kolegëve të maxhorancës. Si ka mundësi, kemi 3 njerëz sot në arrati, Arben Ahmetajn, ka marrë rrogën sot ai, sot merr 200 mijë lekë. Nga ana tjetër kemi 2 mafjozët e inceneratorëve që jetojnë në Vjenë dhe marrin 80 mijë euro në ditë. BE e ka kapur Ramën dje në vjedhje, ky i jep mend BE-së se çfarë duhet të bëjë me Kosovën. Të vijë këtu të japë llogari. Të japë llogari për pezullimin e fondeve të bujqësisë. Zonjë ti ki kujdes, bëhet fjalë për periudhën që ke drejtuar AZHBR-së dhe hetimet janë në vijim. Por nuk është përgjegjësia juaj. Pezulloni seancës, thirreni Ramën sepse më kanë thënë që prapë ka shkuar në plazh, boll është nxirë nga horrlliqet.