Neymar Jr është rikthyer në kombëtaren e Brazilit. Lajmi, i bërë zyrtar nga trajneri Dorival Junior për ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Kolumbisë (më 21 Mars) dhe Argjentinës (më 26 Mars), i jep fund mungesës së yllit brazilian prej mbi një vit e gjysmë për shkak të dëmtimit serioz të gjurit të pësuar gjatë një ndeshje në Uruguay në tetor 2023.
Kalimi i tij te Santos (në huazim) në janar e përshpejtoi këtë rikthim të madh në kombëtaren braziliane. Dorival Jr foli për thirrjen e O’Ney: “Nuk ka nevojë të flasim për atë që përfaqëson Neymar, momenti që ai po jeton është një proces rikuperimi. Ne e kemi këtë mirëkuptim, jemi të vetëdijshëm për këtë. Por ne gjithashtu e kuptojmë se aftësitë dhe cilësitë e një lojtari si ai përfundojnë të jenë një faktor përcaktues për të kapërcyer çdo situatë që mund të lindë gjatë një ndeshjeje”.
“Ai është një lojtar i madh dhe të gjithë shokët e tij në kombëtare e kanë shprehur publikisht atë që Neymar përfaqëson në grupin tonë. Ne e prisnim, kjo është mundësia e parë që na ka dhënë. Shpresoj që ai të jetë shumë i lumtur me rikthimin e tij dhe t’i ofrojmë sigurinë e nevojshme që ai të zhvillojë më së miri aftësitë e tij në momentin që po jeton“, shtoi Dorival.
Më pas trajneri i Selecao u përpoq të shuante entuziazmin e jashtëzakonshëm të krijuar: “Të mos krijojmë shumë pritshmëri duke vendosur gjithë përgjegjësinë në këtë rikthim. Le të ketë ekuilibër dhe vazhdimësi në këto dy ndeshje, që do të jenë shumë të vështira. Edhe rivalët tanë do të përballen me një ekip brazilian shumë të përgatitur, i aftë për të luajtur dy ndeshje shumë të rëndësishme në këtë stadium, të cilat janë thelbësore për kualifikimin tonë”.