Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, u ka bërë thirrje aleatëve t’i bëjnë trysni Rusisë për ta ndalur luftën kundër Ukrainës, duke nisur me një armëpushim ajror dhe detar, pasi Moska e kreu një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës së energjisë dhe gazit në shumë rajone ukrainase.
Zelenski tha se Rusia i shkrepi gati 70 raketa lundruese dhe balistike, si dhe i lëshoi rreth 200 dronë kundër objekteve të ndryshme të energjisë në Ukrainë.
Gjatë sulmit u goditën edhe ndërtesat e banimit. Ndërkohë një delegacion ukrainas do të udhëtojë në Arabinë Saudite javën e ardhshme, për t’u takuar me zyrtarët amerikanë, me qëllim për ta gjetur një kornizë për një marrëveshje për paqe.