Turqia akuzon Netanyahun se ‘e ka tërhequr rajonin në luftë për të qëndruar në pushtet’. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, në një konferencë shtypi në Katar.

Turqia ka akuzuar kryeministrin izraelit Benyamin Netanyahu se dëshiron të tërheqë Lindjen e Mesme në luftë ‘për të qëndruar në pushtet’, në mes të luftës në Rripin e Gazës me Hamasin.
‘Është e qartë se Benyamin Netanyahu po përpiqet të tërheqë rajonin në luftë për të qëndruar në pushtet’, tha ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.

Diplomati i lartë turk tha se Turqia ‘po përpiqet të gjejë zgjidhjen me dy shtetet’. Ai tha se ka zhvilluar gjithashtu bisedime me kryetarin e Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, i cili është i vendosur në Katar.

‘Zyrtarët e Hamasit më thanë se do të shfuqizojnë krahun e armatosur dhe do të vazhdojnë si parti politike kur të krijohet një shtet palestinez,’ tha Fidan.

Nga ana e tij, Sheik Mohammed tha se Katari ka zhvilluar përpjekje diplomatike për Rripin e Gazës, i cili ka vuajtur nga sulmet izraelite që nga 7 tetori 2023 kur Hamasi vrau mbi 1200 izraelitë. Sulmet e mëvonshme izraelite deri më tani kanë vrarë mbi 34,000 palestinezë. ‘Roli i Turqisë në zgjidhjen e krizës është vendimtar,’ shtoi ai.