Kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani po qëndron në një vizitë zyrtare në Sarajevë ku është pritur nga kryetari i qytetit të Sarajevës, Predrag Puharić me të shkëmbyen përvoja dhe ide që mund t’i zbatojnë edhe në qytetin e Gostivarit për zhvillimin e turizmit, duke pasur parasysh se Sarajeva këtë vit është shpallur “Top Destinacion 2025” nga prestigjiozja National Geographic.

“Në kuadër të vizitës disaditore në Bosnje e Hercegovinë, i shoqëruar nga ambasadori i RMV-së në Sarajevë, z. Jakup Rexhepi dhe disa bashkatdhetarë dhe humanistë nga Gostivari, pata nderin të takoj kryetarin e Qytetit të Sarajevës, z. Predrag Puharić.
Me kreun e këtij qyteti, simbol të qëndrueshmërisë dhe diversitetit, shkëmbyem përvoja dhe ide që mund t’i zbatojmë edhe në qytetin e Gostivarit për zhvillimin e turizmit, duke pasur parasysh se Sarajeva këtë vit u shpall “Top Destinacion 2025” nga prestigjiozja National Geographic.
Me Sarajevën ndajmë shumë vlera të përbashkëta, ashtu siç ndajmë edhe një të ardhme të përbashkët evropiane”, ka nënvizuar Limani.