Valon Ahmedi së shpejti do të veshë fanellën e Shkëndijës, të cilën e kishte veshur për gjatë një viti, janar 2020, janar 2021. Ahmedi aktualisht është një lojtar i lirë pas skadimit të kontratës me ekipin bjellorus të Soligorsk, aty ku luajti për dy vite e gjysmë.
Informacione pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se Ahmedi dhe drejtuesit e Shkëndijës janë në fund të bisedimeve, që kanë nisur tashmë disa javë, dhe se pret të precizohen edhe disa detaje të vogla, që edhe zyrtarisht Ahmedi të veshë edhe njëherë tjetër fanellën “kuqezi” të skuadrës tetovare.
Ai në Ligën e Parë numëron 17 paraqitje dhe 4 gola, ndërsa i njëjti pritet ti jap më shumë fantazi lojës së Shkëndijës, e që realisht i ka munguar së fundmi.
Me angazhimin e Ahmedit, mbetet të shihet nëse “kuqezinjtë” do të tentojnë tashmë edhe transferimin e Fredy Alvarez, ish futbollistit të FC Shkupit, me të cilin gjithashtu janë në kontakte e sipër.
Alvarez dhe Ahmedi së bashku do të bënin që Shkëndija vërtetë të ketë një nga dyshet më të mira të mesfushës në Ligën e Parë, aty ku skuadra tetovare dëshiron të rikthejë titullin kampion.
Kujtojmë, sezoni i ri në Ligën e Parë starton me 11 gusht, ndërsa Shkëndija në xhiron e parë do të takohet me Besën e Dobërdollit në Gostivar.