Intervistimi i kandidatëve për anëtarë të ardhshëm të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka vazhduar edhe sot. Kandidatët flasin për vizionin e tyre kurse komisioni përzgjedhës bën pyetje dhe vlerësim.
“Një nga fushat në të cilat duhet të punohet është përforcimi i kapacitetit dhe punësime të reja si dhe rritja e buxhetit. Në aktet që i analizova buxheti është diku 1 milion euro që është shumë e vogël për funksionim të një institucioni me 50 të punësuar dhe 7 anëtarë”, tha Vlladimir Klekovski, kandidat.
“Do të propozoja që Komisioni të përgatisë një analizë për shfrytëzimin e veturave zyrtare nga shfrytëzuesit e buxhetit sepse ata shfrytëzojnë para publike dhe të sillen rregullore dhe kufizime. Ka raste, siç e keni të njohur, kur veturat zyrtare shfrytëzohen 24 orë”, u shpreh Bllagojçe Kërstanovski, kandidat.
Në mesin e kandidatëve ka edhe anëtarë të partive politike ose që janë të njohur për afërsinë e tyre me partitë politike. Disa prej tyre madje nuk e fshehin këtë gjë.
“Për funksionim të suksesshëm të Antikorrupsionit duhet mbështetje më e madhe nga ana e të gjithëve në shtet, si nga opinioni, edhe nga mediat, nga të gjithë ata që janë në këtë sferë, OJQ-të. Jam anëtar i Komisionit në VMRO-DPMNE dhe mendoj se kjo nuk është e ndaluar sipas konkursit dhe sipas ligjit”, tha Kirill Kovçegarski, kandidat.
Edhe dhjetëra kandidatë të tjerë janë në listën e pritjes për intervistim kurse gjithsej janë 42. Komisioni që bën intervistimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve përbëhet nga përfaqësues i Avokatit të popullit, nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar në Shkup, anëtar i Këshillit për bashkëpunim mes qeverisë dhe sektorit civil, anëtar i Këshillit për bashkëpunim mes qeverisë dhe sektorit të mediave, tre deputetë të shumicës dhe dy të opozitës.
Për kryetar mund të zgjidhet personi i cili ka të paktën dhjetë vjet përvojë pune, prej të cilave, tetë vjet duhet të jetë në fushat e zbulimit ose parandalimit të korrupsionit, sundimit të ligjit apo qeverisjes së mirë.
Kandidatët tjerë duhet të kenë gjashtë vite aktivitet në fushat që lidhen me zbulimin e korrupsionit. As kryetari dhe as anëtarët nuk mund të jenë deputetë, as në Qeveri, as donatorë ose funksionarë në ndonjë parti politike.
Anëtarëve aktualë të Komisionit Kundër Korrupsionit, Biljana Ivanovska, Vladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovska, Katica Nikollovska, Nuri Bajrami, Goran Tërpenoski dhe Shemsi Sallai, mandati u skadon më 7 shkurt të vitit të ardhshëm dhe nuk kanë të drejtë rizgjedhjeje. /Alsat.mk