Pse regjimi aktual në Beograd, “udhëheqësit e të cilit ishin protagonistë aktivë” të luftërave të viteve nëntëdhjetë, kur flet për luftën e filluar në vitin 1991, e fillon në vitin 1995, d.m.th. nga viti i fundit të saj.

“Nuk do të ketë persekutime të reja, as dëbime të reja të serbëve; nuk do të ketë kurrë më traktorë tjerë, këtë ju garantoj. Çdo fillim gushti për serbët është ditë pikëllimi, kujtimi për shtëpitë e humbura, fëmijët e humbur që nuk mund të kthehen”, tha presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dje në tubimin e mbajtur me rastin e përkujtimit të Ditës së Përkujtimit për të vdekurit dhe dëbuarit në operacionin ushtarako-policor kroat “Oluja” (Stuhia) që ndodhi më 4 gusht 1995.

Tubimi qendror komemorativ, i organizuar për atë rast, është mbajtur këtë vit në stadiumin “Lagator” në Loznicë. Përveç Presidentit të Serbisë, në shënimin përkujtimor morën pjesë edhe kryeministri Millosh Vuçeviq, ministra në Qeverinë e Serbisë, presidenti i entitetit boshnjak Republika Srpska Milorad Dodik, si dhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili me ndihmën e kryepeshkopëve dhe klerikëve, shërbeu meshë përkujtimi në stadiumin e Loznicës.

MESAZHET PËR FQINJËT

Presidenti i Serbisë kishte mesazhe të qarta edhe për fqinjët. Kështu, duke folur për aksionin ushtarako-policor “Oluja”, të kryer 29 vjet më parë, ai i tha Kroacisë se nuk janë edhe “aq trima”, se “nuk e bëtë vetë atë krim, ju ndihmuan këta të mëdhenjtë dhe më të fuqishmit”.

Në fjalimin e tij komemorativ, presidenti serb ka komentuar edhe lajmin se Kroacia së fundmi ka blerë raketahedhëse me shumë tytë “Himars”.

“Serbia do të ketë armë më të forta në më pak se tre vjet, por ato nuk do t’i drejtohen askujt”, tha presidenti Vuçiq.

Presidenti i Serbisë i tha Qeverisë së Republikës së Kosovës se “errësira është më e dendur para agimit”.

“Ne do të duhet ta ruajmë vendin tonë. Kur të jemi ekonomikisht më të fortë, do të jemi edhe ushtarakisht, do të pengojmë këdo që do të sulmojë vendin tonë dhe do të ushtrojë agresion kundër popullit tonë”, kërcënoi presidenti Vuçiç, i cili në fjalën e tij iu referua edhe miratimit së fundmi të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Kombet e Bashkuara.

“Ata donin të na vinin etiketën dhe vulën e një kombi gjenocidal. Ne thamë – mjaft me presionin mbi popullin më të vuajtur në Ballkan. Ne e ngritëm zërin në emër të vendeve liridashëse në botë dhe treguam si një vend i vogël mund t’i mposhtë ata”.

Qytetarëve të shumtë të pranishëm në stadiumin “Lagator” në Loznicë iu drejtua edhe kryetari i entitetit të RS, Milorad Dodik, i cili tha se serbët janë një popull krenar që duan të jetojnë me të tjerët.

“Historia jonë është histori konfliktesh, por duhet të ecim përpara… Kur i sulmojnë serbët, atëherë na ecë më mbarë”, tha Dodik dhe shtoi se jemi dëshmitarë të “sulmeve masive ndaj Serbisë, veçanërisht ndaj Vuçiqit”, i cili sipas gjykimit të Dodikut është – simbol i përparimit.

ORA E HISTORISË

Një ditë para shënimit të Ditës së Përkujtimit të Serbëve të vrarë dhe të dëbuar në operacionin ushtarako-policor kroat “Stuhia”, historiani serb Millivoj Beshlin pyeti për Danas-in nga Beogradi se cila është “pika zero” e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, përkatësisht pse regjimi aktual në Beograd, “udhëheqësit e të cilit ishin protagonistë aktivë” të luftërave të viteve nëntëdhjetë, kur flet për luftën e filluar në 1991, e fillon me vitin 1995, d.m.th. nga viti i fundit i luftës.

“Para ‘Stuhisë’ ka qenë ‘Ovçara’, si një nga krimet më monstruoze në luftërat e viteve 90. Dhe nuk është vetëm ‘Ovçara’, por shndërrimi barbar dhe gati ritual i një qyteti – Vukovarit, në pluhur dhe hi. E nuk është rastësi që protagonistët – disa prej tyre të dënuar në Hagë – promovohen publikisht si heronj në qarqet e këtij regjimi”, tha Beshlin dhe shtoi se ky është një mesazh i qartë për Kroacinë dhe gjithë rajonin që Serbia nuk ka hequr dorë “nga projekti i madh shtetëror kriminal”.

“Prandaj, pika zero do të duhej të ishte fillimi i luftës në Kroaci, tek e cila ka ardhur, sikur edhe te konfliktet të tjera të armatosura në Jugosllavi, jo sepse ishin të pashmangshme dhe sepse popujt e afërt u ndanë nga dikush nga jashtë; jo sepse nuk kishte zgjidhje paqësore për shpërbërjen e Jugosllavisë, por sepse Serbia e Millosheviqit, e cila kishte në dorë të gjithë fuqinë e APJ-së (JNA), hodhi poshtë të gjitha zgjidhjet ekzistuese për ndarjen paqësore, si iniciativat e brendshme ashtu edhe ato ndërkombëtare dhe zgjodhi opsionin e luftës. Ka llogaritur në numrin demografik dhe fuqinë ushtarake si argumente të mjaftueshme që me gjak t’i rivendosë kufijtë e brendshëm të Jugosllavisë, të cilët sipas Kushtetutës dhe federalizmit jugosllav, por edhe sipas vendimeve të Komisionit të Badinterit, ishin kufij shtetërorë. Jo kufij të shteteve sovrane, por kufij shtetërorë, sepse republikat ishin shtete federale. Serbia e Millosheviqit në mënyrë të njëanshme dhe kundër vullnetit të tjerëve, shkatërroi parimin e paprekshmërisë së kufijve, më vonë mbeti e vetme pa kufirin e saj jugor dhe që atëherë është përpjekur të dëshmojë nevojën e respektimit të parimit që e shkatërroi për herë të parë në vitin 1991 dhe 1992 në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë”, tha Beshlin.

Një historian serb mendon se radikalizimi i opinionit publik po funksionon në Serbi.

“Ashtu si në fund të viteve të 80-ta, kur Millosheviqi përgatiste opinionin publik për luftëra, në dhjetë vitet e fundit fokusi ka qenë abuzimi morbid i viktimave për qëllime politike ditore. Radikalizimi i opinionit publik në Serbi në dekadën e fundit kryesisht kaloi përmes një narrative antikroate, duke barazuar çdo identitet kroat me ustashët dhe duke i shpallur të gjithë kundërshtarët e regjimit përparimtar si “ustashë”.

REPRIZA E TË NËNTËDHJETAVE

Dy ditë para mbledhjes komemorative në Loznicë, Kuvendi i Serbisë me 139 vota për dhe nëntë kundër miratoi Deklaratën për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike dhe të Ardhmes së Përbashkët të Popullit Serb. Disa analistë e shohin atë dokument si një “Memorandum të ri”. Kujtojmë se ky është një lloj programi kombëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU), botuar në shtator të vitit 1986. Presidenti i atëhershëm i Presidencës së Serbisë, Ivan StambolLiq, e quajti Memorandumin e SANU-s “In memoriam për Jugosllavinë”.

Gazetarja e së përjavshmes së Beogradit “Vreme” Jovana Glligorijeviq, duke komentuar për “Danas” tekstin e Deklaratës së miratuar për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike dhe Ardhmërinë e Përbashkët të Popullit Serb, tha se dokumenti “është kaq nxitës dhe plot urrejtje ndaj gjithçkaje joserbe, sa është e vështirë të mos na kujtohet periudha më e keqe e jetës sonë”.

Sipas Glligorijeviq, teksti i Deklaratës ka një efekt të fortë psikologjik.

“Kur shikon pjesën hyrëse dhe të gjitha pikat, para syve të tu del ideologjia e Sllobodan Millosheviqit, të cilën ai nuk e hodhi kurrë në letër. Tani e kanë bërë Vuçiq dhe Dodik. Pasojat mund të mos ndodhin, dhe nëse ndodhin, do të jetë një përsëritje e periudhës më të tmerrshme të viteve nëntëdhjetë”.

Një gazetar nga e përjavshmja e Beogradit “Vreme” e quajti të frikshme Deklaratën për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike dhe të Ardhmen e Përbashkët të Popullit Serb.
Tamara Nikçeviq – bashkëpunëtore e jashtme e RTK-së