Studentët e Fakultetit Juridik në Universitetin e Tetovës dyshohet se hezitojnë të dalin publikisht në mbështetje të vendimit të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, për shkak të presionit që pretendohet se ushtrohet nga profesorë universitarë të lidhur me BDI-në.
Sipas pretendimeve që kërkojnë konfirmim nga studentët, frika lidhet me mundësinë e pasojave akademike në rast se ata shprehin publikisht mbështetje për vendimin e ministrit. Në këtë debat përmenden edhe profesorë që kanë pozita në strukturat e BDI-së, ndërsa kundërshtimi i vendimit nga qarqe të lidhura me këtë parti ngre pikëpyetje për ndikimin e politikës në mjedisin universitar.
Në anën tjetër, iniciatori i protestave studentore, Mevlan Ademi, ka deklaruar se janë zhvilluar bisedime me studentë të Universitetit Nënë Tereza dhe Universitetit të Evropës Juglindore për organizimin e protestave të reja, por ende nuk kanë arritur të bisedojnë me studentët e USHT-së.
Mungesa e një qëndrimi publik nga studentët e USHT-së mbetet një çështje që kërkon sqarim: a po hezitojnë ata të përshëndesin një vendim që mundëson përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës për shkak të frikës nga pasojat akademike?

