Tridhjetë e gjashtë herë përmendet fjala “shndrit” në fund të këngës “Zjerm” e “Shkodra elektronike” e ka shndritur Shqipërinë duke e çuar në finalen e edicionit të 69-të të garës evropiane të këngës “Eurovision”. Në natën e parë gjysmëfinale të martën mbrëma në Bazel të Zvicrës është përzgjedhur dhjetëshja e parë gjysmëfinaliste, e “Zjerm” e ka ndezur skenën me këngën unike që përfaqëson sivjet shtetin shqiptar
“Shkodra elektronike” me “Zjerm” e ka kthyer Shqipërinë në finalen e garës evropiane të këngës “Eurovision”. Dyshja nga Shkodra ia ka dalë që të dytit me radhë të shpallen finaliste pas votimeve që janë bërë me të përfunduar gjysmëfinalja e parë e garës, që sivjet mbahet në Bazel të Zvicrës. Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca kanë shkëlqyer në skenën prestigjioze të “Eurovisionit” në qytetin mesjetar në veriperëndim të Zvicrës. Muzika e tyre e ka bërë publikun për vete duke siguruar votat për finalen e madhe që do të mbahet të shtunën mbrëma në “ St. Jakobshalle”. Bashkë me Shqipërinë nga gjysmëfinalja e parë për në finale janë kualifikuar edhe: Norvegjia, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina.
Me alamet spektakli ka nisur gjysmëfinalja edicionit të 69-të të “Eurovisionit” nën moderimin e dyshes Hazel Brugger dhe Sandra Studer. Shqipëria qe e 12-a me radhë në skenë. Me një skenografi të thjeshtë pa shumë ngarkesa, por me fokus te muzika, “Shkodra elektronike” ka shndritur në skenën gjigante. Koreografia e dritave ka mbajtur ritmin me kuqezi, dy ngjyra që i ka pasur edhe dyshja. Beatriçe Gjergji e veshur me fustan të kuq dhe Kolë Laca me kostum të zi janë shquar për thjeshtësi e njëkohësisht thellësi në interpretim. Dyshja që mban autorësinë e muzikës e po ashtu edhe të tekstit me ndihmën e Lekë Gjeloshit është kujdesur që edhe ngjyrat e melodive shqiptare të jenë në këngë. Kanë ofruar spektakël në sallë, por kënga e tyre po ashtu prek edhe identitetin. Dy emigrantët e bashkuar në vitin 2019 del të jenë goxha të pëlqyer nga publiku pasi në gjysmëfinale votimi bëhet vetëm nga ai. Kënga e tyre është mjaft përshkruese e realitetit të sotëm, i bën një parashikim edhe të ardhmes. Pritjet kanë qenë të mëdha që dyshja të shkojë në finale, pavarësisht garës së fortë.
Sivjet janë 37 shtete që marrin pjesë në Festival, bashkë me Malin e Zi, që është rikthyer pas dy vjetëve pauzë. Prej tyre pesë të përhershmet shkojnë direkt në finale: Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia. Dy kantautorët e “Shkodrës…” janë emigrantë në Itali. Si fëmijë bashkë me familjet e tyre ia kishin mësyrë matanë Adriatikut.
“Shkodra elektronike” u themelua më 2019 dhe repertori i tyre kryesisht përfshin rikrijime e ripërpunime të perlave të këngës shqiptare. Kishte filluar si grup dhe në këtë kohë performoi në shumë ngjarje të rëndësishme italiane dhe shqiptare. E para ishte me rastin e hapjes së Pavijonit të Kosovës dhe Shqipërisë në Bienalen e Venecias më 2019. Më tej vazhdoi ta thellonte zhanrin me hapjen e ekspozitës personale në Tiranë të artistit Adrian Paci, e në edicionin e katërt të festivalit “Zā Fest” e të tjera. Në vitin 2020 “Shkodra”… nisi të publikonte këngët e para. Kënga origjinale “Ku e gjeta vendin” ishte fituese e çmimit special në “Festivalin Lule Borë” e më tej kishin nxjerrë edhe të tjera një vit më pas si “Synin si qershia” e “Turtulleshë”.
Bashkë me Shqipërinë nga gjysmëfinalja e parë për në finale janë kualifikuar edhe: Norvegjia, Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina
Shqipëria kohëve të fundit nuk i ka pasur punët mirë me “Eurovisionin”. Në edicionin e kaluar, me votat e publikut, të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në “Eurovision” e kishte Besa Kokëdhima me këngën titulluar “Zemër n’dorë”. Përderisa në Shqipëri komuniteti artistik e dinte se Festivalin e Këngës në RTSh do ta fitonte Kokëdhima, ajo s’ia doli dot të shkonte në finalen e “Eurovisionit”.
Shqipëria vazhdon të mbajë rekordin e përfaqësuar me Rona Nishliun nga Kosova në vitin 2012. Ajo me këngën “Suus” qe radhitur në vendin e pestë. Po nga Kosova ishte edhe Lindita Halimi me “World” në vitin 2017. Shqipëria për herë të parë mori pjesë në garën e njohur evropiane të këngës “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012. Në vitin 2022 shtetin e përfaqësoi Ronela Hajati me “Sekret”. Kurse me 2023 me Albina Kelmendin dhe familjen e saj morën 76 pikë në total dhe u rendit e 22-ta në finale.
Zvicra u bë nikoqire e edicionit të sivjetmë të “Eurovisionit” pasi vitin e kaluar Nemo me “The Code” kishte marrë trofeun në Malmo të Suedisë, që u përshkrua edhe si një finale dramatike. Ka qenë i pamposhtur, ani pse votat e publikut kishin përmbysur jo pak renditjen në tabela, por jo aq sa për ta lëkundur edhe Zvicrën. Përkundrazi, ia konfirmuan fitoren me 591 pikë e në krye ishte edhe me 365 pikët e jurisë. Kishte lënë prapa Kroacinë me 547 pikë, përfaqësuar nga artisti Baby Lasagna, që i këndoi eksodit të të rinjve kroatë drejt vendeve të tjera të botës për një të ardhme më të mirë. E treta rezultoi Ukraina me 453 pikë. Kënga e Nemos (24) ishte një rrëfim për identitetin gjinor, shëndetin mendor dhe gjetjen e vetes.
“Faleminderit shumë! Shpresoj që kjo garë do të jetësojë premtimin për paqe dhe dinjitet për çdo person në botë”, ka thënë shkurt Nemo.
Shkurt, me një falënderim publikut, i është drejtuar edhe Beatriçe Gjergji të martën mbrëma. Interpretimi i dyshes ka treguar një entuziazëm të lartë edhe brenda ekipit. Janë pëlqyer shumë edhe nga nacionalitete të tjera në publik. Sipas transmetuesit publik zviceran, “Eurovisioni” sivjet simbolizon vlerat që përfaqësojnë Zvicrën, siç janë diversiteti, shumësia gjuhësore dhe ndjenjën e bashkësisë. E “Shkodra elektronike” është emërues i këtyre vlerave: janë shqiptarë, emigrantë në Itali, për më shumë se dy dekada dhe muzika e tyre mban vulën e gjuhës universale.