Javët e fundit në Tetovë është shumëfishuar qarkullimi i trafikut dukshëm si rezultat i mbylljes së rrugës së Kaçanikut dhe kufirit në Bllacë. Si rezulat i kësaj edhe kamionë të mëdhenj transportues duhet të kalojnë nëpër lagjet e Tetovës, kryesisht nga lagja Boris Kidriç.

Kjo është edhe si shkak i paaftësisë së partisë së Teuta Arifit që për këto 17 vite mos të ndërtojnë një qarkore, e cila do ta lehtësonte gjithë këtë ngarkesë trafiku të automjeteve që gravitojnë në linjën Tetovë-Jazhincë. Viteve të fundit mu në kthesën e rrugës Boris Kidriç, nga kamionë transportues janë aksidentuar dy biçiklistë me pasoja vdekjeprurëse. Sot është regjistruar edhe një aksident trafiku poashtu me kamion të madh.

Komuna e Tetovës është e paaftë të përballet me kaosin në trafik dhe as që e ka ndërmend të lëshojë në përdorim transportin publik, edhe pse për këtë kryetarja aktuale ka bë premtime që në fushatën e vitit 2013, të cilat asnjëherë nuk i realizoi.