Forcat irakiane të sigurisë rimorën kontrollin e xhamisë së shkatërruar të Al Nurit, në Mosul, pasi dëbuan që aty militantët e Shtetit Islamik.

Një reporter i BBC-së, që është mes trupave irakiane, konfirmoi këtë sukses, por tha se kompleksi është ende nën zjarrin e snajperëve dhe mortajave.

Një javë më parë, nën presionin e ushtrisë që përparonte, xhihadistët e Shtetit Islamik hodhën në erë xhaminë, një prej më të rëndësishmeve jo vetëm në Irak, por në të gjithë botën myslimane.

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi tha se rimarrja e xhamisë shënon fundin e Shtetit të rremë Islamik. Ai shtoi se forcat irakiane nuk do të ndalen, derisa edhe militanti i fundit të vritet, ose të nxirret para drejtësisë.

Militantët e Shtetit Islamik, tashmë janë duke u tërhequr në Irak dhe në Siri, ku forcat amerikane mbështesin kurdët dhe arabët që kanë rrethuar qytetin Raqqa.

Aktualisht, grupi xhihadist kontrollon 36 mijë kilometra katrorë në Irak dhe Siri, një reduktim prej 40% i territorit që prej fillimit të këtij viti. Forcat irakiane e nisën ofensivën për Mosulin tetorin e shkuar, e me mbështetjen nga ajri dhe toka të koalicionit të udhëhequr nga SHBA.

Besohet se, vetëm disa qindra militantë kanë mbetur në një zonë të vogël të Mosulit, që pritet të bjerë shumë shpejt në duart e ushtrisë. Zyrtarë të kësaj të fundit thanë se po përparojnë me shumë kujdes, pasi në të njëjtën zonë gjenden mijëra civilë dhe ushtria po përpiqet të evitojë viktimat mes tyre.